Prishtinë, 28 qershor 2024 – Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur të premten se nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë derisa Serbia nuk i plotëson tri kushtet që ai i shtroi për takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mërkurën në Bruksel.
Ai e ka përsëritur këtë qëndrim të premten, në mbledhjen e Qeverisë, duke raportuar dështimin e takimit me Vuçiqin.
Kurti e ka renditur si kusht të parë dorëzimin te organet e drejtësisë në Kosovë të grupit paramilitar serb që e kreu sulmin terrorist në Banjskë dhe udhëheqësin e tij Milan Radoiçiq. Ai ka thënë se Radoiçiqi dhe grupi i tij jetojnë të lirë në Serbi dhe mbrohent nga shteti i Serbisë.
“Të mërkurën u mbajt takimi i radhës i nivelit të lartë në Bruksel. Ishte takimi i parë i nivelit të lartë pas sulmit terrorist në Banjskë me organizimin dhe financim të shtetit të Serbisë. Pas nëntë muajve nga sulmi, kryeterroristi Radoiçiq është i lirë dhe mbrohet nga Serbia. Ne nuk mund ta ngjallim heroin tonë Afrim Bunjaku, por Serbia mund ta dorëzojë grupin paramilitar serb me kryeterroristin Radoiçiq që të përballen me drejtësinë në Kosovë. 39 nga 47 të identifikuar për sulmin ndodhen në listën e kërkimit ndërkombëtar të INTERPOL-it. Për sa kohë Radoiçiqi dhe grupi i tij enden të lirë në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se mirëbesimi në dialog është humbur edhe nga letra që ia kishte dërguar Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
“Mirëbesimi në dialog është humbur edhe me letrën që Bërnabiq e dërgoi më 13 dhjetor te shërbimi i jashtëm në BE, pasi e lexoi para 27 liderëve të vendeve anëtare. E ajo letër thotë se Serbia nuk e konsideron dhe nuk do ta respektojë Marrëveshjen e Brukselit. Andaj, ajo letër duhet të tërhiqet. Ajo letër dhe marrëveshja e arritur në Bruksel janë në kundërthënie me njëra-tjetrën”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë gjithashtu se Vuçiqi nuk ishte i gatshëm për asnjërin nga tri kushtet e shtruara prej tij për takim.
“Ne kemi pranuar marrëveshjen dhe kemi kërkuar nënshkrim dhe deponim në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.
“Marrëveshja duhet të nënshkruhet që të ketë zbatim”, ka theksuar ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dënuar ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, i cili duhet të hapej të enjten në Beograd. Ai ka thënë se me ndalimin e këtij festivali, I cili sponsorizohet nga Basgkimi Evropian, Serbia dëshmoi se lufton “gjithçka që ka të bëjë me paqen e pajtimin”.
“Hera e parafundit jemi takuar me Vuçiqin më 14 shtator të vitit të kaluar, vetëm 10 ditë pas atij takimi ndodhi sulmi në Banjskë. Këtë herë, një ditë pas takimit, Serbia e ndaloi festivalin “Mirëdita…”, me traditë 10-vjeçare për festimin e diversitetit dhe bashkimit të artistëve nga Kosova e Serbia. Serbia e tregon shovinzimin e paepur për gjithçka që ka të bëjë me paqe e pajtim”, ka shtuar Kurti.
(r.m.)