Kurti: S’mund të gaboj me Asociacionin. Lajçak ta çojë draftin e tij në Komisionin e Venecias

Tiranë, 5 qershor 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai nuk mund të gabojë me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila është çështja më e debatueshme në Kosovë e në Serbi, por edhe në Bruksel e Uashington.

Në një intervistë për A2CNN, Kurti ka theksuar se Serbia nuk mund t’ia kërkojë Kosovës zbatimin e një marrëveshjeje të nënshkruar në vitin 2013 të cilën e ka shkelur aajo vetë.

“Asociacioni është i shprehur në dy marrëveshje, në mesin e 39 marrëveshjeve që kanë bërë pararendësit e mi me Beogradin. Atje janë marrëveshjet. Nuk e mohoj ekzistencën e tyre. Marrëveshja e vitit 2013, e nënshkruar mes [Hashim] Thaçit dhe [Ivica Daçiqit] Daçiqit, i ka 15 pika, 6 prej të cilave janë për Zajednicën [Asociacionin]. Serbia kërkon që ne ta respektojmë atë dhe të zbatojmë 6 nga 15 pika të marrëveshjes. […] Nuk mund të kërkosh nga unë të zbatoj 40 për qind të marrëveshjes, kur vetë e ke shkelur 60 për qind të saj”, është shprehur ai.

Kurti ka folur edhe për draftin e statutit të Asociacionit të propozuar nga emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe për insistimin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Qeveria e Kosovës ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftin e saj për statutin e Asociacionit. Ai ka theksuar se Lajçak duhet ta dërgojë atë draft në Komisionin e Venecias, ndërsa draftin e vet [Qeverisë së Kosovës] do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

“Unë kam shprehur ofertën time, e cila duhet të pranohet fillimisht në parim. Unë nuk mund të sjell frymën dhe germën pa e pranuar ofertën. Ata edhe më tutje insistojnë që duhet të kemi një normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Nëse e heqin nga ekuacioni, atëherë merremi vetëm me ndërkombëtarët. Lajçak dhe komisionerët e tjerë evropianë ta çojnë dokumentin e tyre, draftin e tyre, në Komisionin e Venecias. Unë do ta çoj dokumentin tim në Gjykatën Kushtetuese. Nëse Vuçiq është pajtuar me Marrëveshjen bazike, përse të mos e pranoj unë? Por, nëse Asociacioni hiqet [nga marrëveshja bazike] dhe shkatërrohet paketa, ashtu nuk e pranoj. Ne jemi në të drejtën tonë. Presioni duhet të ishte ndaj Beogradit”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka shtuar se drafti [i Asociacionit] që i është dhënë atij është “non paper”.

Kurti ka folur edhe për situatën aktuale dhe zhvillimet politike në Kosovë, për raportet e tij me Kryministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për marrëdhëniet e tij me faktorët ndërkombëtarë, për kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë, për kërcënimet për sigurinë në rajon, etj.

(r.m.)