Kurti takohet me investitorë amerikanë dhe me veprimtarë shqiptarë në Amerikë

Nju Jork, 21 shtator 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me anëtarë të delegacionit nga Kosova, zhvilloi në Connecticut një takim me investitorë amerikanë e shqiptarë, ndërsa në Nju Jork pati një darkë pune me veprimtarë të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Në takimin me inveerstitorë, të organizuar bashkë me Data4X dhe Ed e Barbara Hammel, i cili u mbajt në rezidencën e Richard Lukajt në Westchester, ishin të pranishëm investitorë dhe politikanë amerikanë si edhe aktiivistë të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njofton se Kurti i falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rolin e tyre në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës. Ai theksoi se miqësia mes dy vendeve “është e fortë në politikë e në ndjenjë” dhe se kjo miqësi “duhet të thellohet më tej edhe ekonomikisht”.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës i ka hequr taksat doganore për mallrat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga 1 gushti i vitit të kaluar dhe shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje tregtare mes dy vendeve. Ai e vlerësoi mbështetjen e deritashme amerikane për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke veçuar mbështetjen e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) për sektorin e energjisë.

Kurti e vlerësoi edhe mbështetjen e vazhdueshme të mërgatës shqiptare në Amerikë për Kosovën. Ai tha se Kosova tani i pret shqiptarët e Amerikës si partnerë në zhvillim dhe u bëri thirrje që të investojnë në Kosovë.

Pas takimit me me investitorë në Westchester, Kurti mori pjesë në një darkë pune me personalitete dhe aktivistë të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan, të organizuar nga veprimtari i dalluar Bruno Selimaj.

Gjatë bashkëbisedimit u vlerësua roli i pazëvendësueshëm i mërgatës shqiptare në SHBA për krijimin e urave të miqësisë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-ve. U vlerësuan gjithashtu mundësitë e angazhimit më të madh të shqiptaro-amerikanëve në ekonomi, në diplomacinë publike, në kulturë e arsim, si edhe në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-të.

Kurti i shprehu mirënjohje të thella komunitetit shqiptaro-amerikan që ka ruajtur lidhje të forta me atdheun e tyre të parë, e ka ndihmuar me të gjitha kapacitetet Kosovën në ditë të vështira dhe ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për forcimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurti e falënderoi posaçërisht nikoqirin e mbrëmjes, Bruno Selimaj, dhe e vlerësoi kontributin e tij të pamatshëm për Kosovën dhe për çështjen shqiptare.

Mbrëmjen e zbukuroi kori dhe orkestra e fëmijëve “Kënga Jonë”, nën udhëheqjen e Blerina Selimaj, që shfaqi një program të bukur artistik me këngë shqipe që shprehin dashurinë për atdheun e kombin.

(r.m.)