Kurti takohet me Ndihmës Sekretaren amerikane të Mbrojtjes, Celeste Wallander, dhe ambasadorin Michael Carpenter

Varshavë, 1 tetor 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua të marten në Varshavë, me Ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Celeste Wallander, dhe ambasadorin Michael Carpenter, Asistent i Presidentit dhe Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Sheteve të Bashkuara.

Ayra e Kryeministrit njofton se z. Kurti e ka theksuar rëndësinë e partneritetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kryeministri Kurti theksoi se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një partneritet të palëkundur si dhe falënderoi Ndihmës Sekretaren Wallander dhe ambasadorin Carpenter për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe proceseve shtetndërtuese para dhe pas pavarësisë”, thuhet në njoftim.

Kurti, siç thuhet në njoftim, ka shprehur përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe për bashkëpunim me SHBA-të në fushën e mbrojtjes.

“Ai shprehu angazhimin e Kosovës në sigurinë e paqen rajonale, teksa shtoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO e Kartën e Adriatikut dhe nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme në fushën e mbrojtjes me ShBA-të, si dhe bashkëpunimin ndërmjet Departamentit për Mbrojtje të ShBA-së dhe Ministrisë sonë të Mbrojtjes”, thuhet në njoftim.

Takimi u zhvillua në margjina të Forumit të Varshavës për Siguri, ku po marrin pjesë autoritete shtetërore nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe përfaqësues të organizatave rajonale e globale.

 Kryeministri Kurti është shoqëruar në takim nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

(r.m.)

Comment

*