Berlin, 9 dhjetor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.
Takimi është realizuar të shtunën, në Berlin, në margjina të Kongresit të Partisë Socialdemokrate, ku Kurti po merr pjesë në cilësinë e mysafirit.
Kurti, në një postim në platformën X, e ka cilësuar “të frytshëm”, takimin me Kancelarin Schoolz.
“Kënaqësi të marr pjesë në Kongresin e partisë SPD të këtij viti, ku pata një takim të frytshëm me kancelarin Olaf Scholz, duke nënvizuar forcën e marrëdhënieve tona dypalëshe dhe vizionin tonë të përbashkët si socialdemokratë që nxisin drejtësinë, përparimin dhe prosperitetin për qytetarët tanë”, ka shkruar Kurti.
Gjatë qëndrimit në Berlin, Kurti do të takohet me autoritete të tjera shtetërore dhe me deputetë të SPD-së në Bundestagun gjerman.
Të dielën, kryeministri i Kosovës do të takohet me përfaqësues të mërgatës në Gjermani.
(r.m.)