Uashington, 30 shtator 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Uashington me kongresisten republikane nga shteti i Floridës, Kat Cammack, njoftoi Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
“Në takim u bisedua për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u veçua misioni bashkëzbarkues i Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë amerikane në Kuvajt dhe pjesëmarrja për tre herë radhazi si vend mikpritës në ushtrimin e madh ushtarak Defender Europe 25 që drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ku morën pjesë 25 mijë ushtarakë nga 29 vende aleate e partnere”, thuhet në njoftim.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës tha se bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë temë tjetër e bisedës.
“Me këtë rast, kryeministri theksoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për largimin e tarifës doganore ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga ShBA-ja, për çka kongresistja Cammack e falënderoi, dhe për investimet e mëdha infrastrukturore në vend në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030, të cilat paraqesin një mundësi të mirë edhe për kompanitë amerikane”, thuhet në njoftim.
Aty thuhet se Kurti dhe kongresistja Cammack kanë folur edhe për rrezikun që paraqet Rusia për paqen dhe sigurinë rajonale dhe globale.
Në takim kanë qenë të pranishëm edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli.
(r.m.)