Kurti takoi në Uashington senatorët Gary Peters e Joni Ernst

Uashington D.C., 30 shtator 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Uashington me senatorin Gary Peters, njëherësh kryetar i Komitetit të Senatit për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare dhe senatoren Joni Ernst.

Zyra e Kryeministyrit njoftoi se në takim me senatorin Peters është diskutuar “për sfidat rajonale dhe për partneritetin e ngushtë Kosovë-ShBA”.

“Kryeministri Kurti e njoftoi senatorin Peters për zhvillimin dhe zhvillimet në vend në rrafshin ekonomik, demokratik dhe të sigurisë. E falënderoi për mbështetjen e tij të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe për përfaqësimin e komunitetit shqiptar në Michigan”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, në takimin me senatoren republikane Ernst është duiskutuar ՞për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon, për siguri, mbrojtje, integrim euro-atlantik dhe zhvillim ekonomik të Kosovës.

“Kryeministri veçoi rëndësinë dhe vlerën e marrëdhënieve ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe shprehu përkushtimin e tij dhe të qeverisë për t’i thelluar edhe më tej ato. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e investimeve amerikane në Kosovë dhe paraqiti mundësitë që ofron Kosova për investitorë të huaj në infrastrukturë, energji dhe teknologji”, thuhet në njoftim.

Kurti e ka falënderuar senatoren Ernst “për miqësinë dhe mbështetjen e saj të palëkundur për popullin e Kosovës dhe për angazhimin e kontributin në forcimin e lidhjeve dhe raporteve ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përgjithësi”.

(r.m.)