Nju Jork, 21 shtator 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Nju Jork me kongresistin amerikan Mike Lawler, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kryetar i Nënkomisionit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kurti e ka falënderuar kongresistin Lawler për anëtarësimin e tij në Kaukusin për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan, si edhe për bashkëpropozimin e rezolutës në Dhomën e Përfaqësuesve në mbështetje të integrimit të Kosovës në NATO.
Në njoftim thuhet se Kurti e ka njoftuar kongresistin Lawler për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe ka theksuar interesin e Kosovës për rifillimin e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara, me një agjendë konkrete për sigurinë, energjinë, investimet dhe sundimin e ligjit.
Kurti ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati më i rëndësishëm i Kosovës.
Në takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe për mundësitë e investimeve të investitorëve amerikanë në Kosovë, me theks në energji, në teknologji dhe në prodhim. Në këtë kontekst është vlerësuar roli i komunitet shqiptar në SHBA, i cili është cilësuar si urë për investime në Kosovë.
Gjatë takimit, Kurti ka folur edhe për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilin e ka cilësuar si të padrejtë. Ai ka thënë se tashmë ka dalë në pah një diskrepancë e madhe midis asaj që është thënë me rastin e themelimit të kësaj gjykate dhe me atë që është provuar në proceset e deritashme në këtë gjykatë.
Ai ka theksuar se pretendimet për trafikim të organeve, mbi të cilat ishte krijuar narrative që i priu themelimit të kësaj gjykatë nuk ishte fare pjesë e aktakuzës, por u rrëzua edhe akuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për krime kundër njerëzimit dhe për sulme të gjera e sistematike ndaj popullatës civile. Ai ka thënë se në akgjykimet e deritashme janë konstatuar edhe pasaktësi faktike dhe historike.
Ai ka theksuar se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe se ajo nuk mund të njolloset nga asnjë gjykatë.
Në fund të takimit, Kurti e ka ftuar kongresistin Lawler që, bashkë me një delegacion të Kongresit amerikan, ta vizitojnë Kosovën.
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi. i cili ka marrë pjesë në takim, e ka njoftuar kongresistin Lawler për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ndër të tjera, ai e ka njoftuar se Serbia, përmes dispozitave ligjore disktiminuese dhe akteve administrative, po e pastrimin etnik të Luginës nga shqiptarët
Kamberi ka theksuar se pasivizimi i adresave ua pamundëson shqiptarëve të Luginës realizimin e të drejtave të tyre themelore, përfshirë të drejtën e votës.
(r.m)