Kurti thotë se ai do të jetë përsëri kryeministër

Prishtinë, 6 maj 2025 – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi të martdeklaroi të martën se ai do të jetë përsëri kryeministër në mandatin e ri qeverisës.

“Unë kryeministër, vazhdojmë tutje”, ka thënë Kurti, kur është pyetur për çështjen e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kurti është pyetur nëse është opozita ajo që po frikësohet nga konstituimi i Kuvendit për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë së re.

“Nuk është kollaj të analizojmë frikën e opozitës. Kjo është punë për analistë”, është shprehur ai.

Kurti nuk ka pranuar ta thotë se çfarë përgjigje pret nga Lidhja Demokratike e Kosovës për ofertën e tij për koalicion qeverisës me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje.

Të hënën, përmes një letre dërguar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, Kurti propozoi formimin e koalicionit të ri qeverisës.

Abdixhiku tha se strukturat drejtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të shqyrtojnë propozimin dhe do të japin një, siç tha ai, “përgjigje serioze”. Por, ai shtoi se qëndrimi i LDK-së lidhur me qeverisjen e re është “I njohur tashmë”.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Abdixhiku kishte thënë se LDK do të jetë në opozitë.

LDK doli e treta në këto zgjedhje, me 18, 27 përqind. Para saj dolën Lëvizja Vetëvendosje, me 42, 30 për qind dhe Partia Demokratike e Kosovës, me 20.95 për qind.

Deputetët e zgjedhur në këto zgjedhje bënë 11 përpjekje për konsituimin e Kuvendit të Kosovës, por procesi u bllokua në votimin e kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe nuk duan të votojnë për Albulena Haxhiun, të cilën e cilësojnë si figure përçarëse në Kuvend dhe jo si figure përafruese e përbashkuese. Nisma Socialdemokrate dhe partitë e komuniteteve joserbe janë të ndara në dy tabore ose të pavendosura, kështu që Lëvizja Vetëvendosje vështirë se mund ta krijojë shumicën e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe për vazhdimin e procesit të formimit të qeverisë së re.

Sipas raportit aktual të forcave, opsioni më real mbetet shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat duket se nuk i dëshiron asnjëra prej partive politike, duke qenë se është e vështirë të priten ndryshme që do ta ndryshonin hartën politike të Kosovës.

(r.m)

Comment

*