Kurti thotë se nesër do të shkojë në Bruksel, për takim me Vuçiqin

Prishtinë, 21 qershor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se nesër, pas takimit me Papa Françeskun, në Vatikan, ai do të udhëtojë për në Bruksel, për takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një postim në Twitter, Kurti ka thënë se në këtë takim ai do të insistojë për lirimin e tre 3 policëve kosovarë që po mbahen peng në Serbi, për de-eskalimin e situatës dhe për normalizimin e marrëdhënieve.

“Sipas itinerarit tim të përcaktuar për të shkuar në Bruksel nga Roma nesër, konfirmoj pjesëmarrjen time në takimin e dialogut të nivelit të lartë të thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme Josep Borrell. Do të insistoj për lirimin urgjent e pa kushte të 3 policëve që po mbahen peng nga Serbia, de-eskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Kurti.

Të martën, Kurti tha se ai është i interesuar që në Bruksel të paraqesë informacione të detajuara lidhur me rrëmbimin e tre policëve nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

Ndërkohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, ka thënë se palët nuk e kanë konfirmuar formalisht pjesëmarrjen në takim, prandaj  nuk mund të saktësohet dita e as koha kur mund të realizohet ky takim.

Ndërkaq i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se takimi midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që synon uljen e tensioneve mes dy vendeve, nuk pritet të ndodhë këtë javë.

Por, burime diplomatike në Bruksel kanë thënë se, megjithatë, dy liderët pritet të arrjnë në Bruksel nesër (e enjte) apo pasnesër (e premte), porse nuk dihet nëse ata do të takohen mes veti. Burimet e e kanë lënë të hapur mundësinë që Kurti e Vuçiqi të kenë takime të veçanta me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, por jo edhe takim të përbashkët.

 (r.m.)