Kurti u bën thirrje kryetarëve të komunave të mbështesin procesin e regjistrimit të popullsisë

Prishtinë, 5 prill 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje të premten kryetarëve të komunave të Kosovës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) të bashkëpunojnë për procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili fillon sot dhe pritet të zgjasë deri më 17 maj.

“Angazhimi ynë i përbashkët është i domosdoshëm për t’i adresuar nevojat e qytetarëve pa dallim dhe është baza për vendime të cilat do të ndikojnë në të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Kurti në një takim me kryetarët e komunave, në Prishtinë.

“Në mënyrë që te jëtë i plotë suksesi i këtij procesi me rëndësi qenësore për zhvillimin socio-ekonomik, nevojitet bashkëpunim i ngushtë edhe mes Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe komunave. Andaj, sërish bëj thirrje për përkushtim dhe angazhim të përbashkët në një ndërmarrje tejet të rëndësishme tejet institucionale te vendit tonë”, ka theksuar Kurti.

“Qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, pronat e shkatërruara si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, zhdukur, plagosur apo të burgosur. Kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit 1998 deri më 12 qershor 1999”, ka thënë ai.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e ka cilësuar regjistrimin e popullsisë si “gur themeli i qeverisjes moderne dhe zhvillimit shoqëror”.

“Ky proces nuk është vetëm një procedurë burokratike është gur themel i qeverisjes moderne dhe zhvillimit shoqëror. Duke regjistruar me saktësi informacionin demokratik, ne do të kuptojmë dhe do t’i shërbejmë më mirë qytetarëve tanë”, ka thënë ai.

Ministri Krasniqi ka theksuar se regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave do të bëhet duke i respektuar të drejtën e mbrojtës së të dhënave personale dhe të drejtën e privatësisë.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave do të përfshijë edhe një pyetësor, cili do t’u mundësojë qytetarëve të regjistrojnë edhe dëmet ekonomike që u janë shkaktuar gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998-1999.

Ky do të jetë regjistrimi i parë i popullsisë prej vitit 2011 dhe do ta përfshijë për herë të parë edhe komunitetin serb në katër komunat veriore të Kosovës.

(r.m.)