Kurti nderon Joe e Shirley DioGuardin për kontributin e tyre për lirinë e pavarësinë e Kosovës

Nju Jork, 27 shtator 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur mirënjohje të thellë për dy nga mbështetësit më të mëdhenj të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara, çiftin Joe dhe Shirley DioGuardi.

Në një manifestim të organizuar nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, me rastin e ditëlindjes së 85-të të Joes dhe ditëlindjes së 75-të të Shirleyt, Kurti tha se Joe Dioguardi luajti një rol shumë të rëndësishëm në afirmimin e çështjes së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Çdo shqiptaro-amerikan, pavarësisht pikëpamjeve apo përkatësive politike, e pranon këtë të vërtetë të thjeshtë: Joe DioGuardi luajti një rol qendror në sjelljen e zërit të shqiptarëve në politikën amerikane në një kohë vendimtare për Kosovën. Ai ishte personi që u hapi dyert e politikës amerikane shqiptarëve, kur jo shumë njerëz ishin të interesuar të dëgjonin për vuajtjet tona në ish-Jugosllavi”, thas Kurti në fjalën e rastit.

Ai e vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Joe e Shirley Dioguardit për mbështetjen e luftës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

“Joe dhe Shirley lobuan së bashku te Presidenti Clinton për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, duke u siguruar që Bosnja mos të përsëritej; e mbrojtën UÇK-në si ushtri çlirimtare me kauzë të drejtë, jo si një grup terrorist; e bindën administratën Bush se pavarësia e Kosovës nuk duhet të vonohej dhe në vitin 2008 kjo u bë realitet. Ata kanë punuar pa u ndalur në Uashington DC për të siguruar që përgjegjësia të vendoset aty ku i takon – mbi ata që minojnë paqen dhe sigurinë”, tha ai.

“Në emër të popullit të Kosovës, përkulem me mirënjohje. Ju jeni pjesë e historisë sonë, ju formësuat lirinë tonë dhe do të mbeteni përgjithmonë pjesë e së ardhmes sonë”, theksoi Kurti, duke u uruar shëndet e jetë të gjatë.

Kurti e vlerësoi edhe kontributin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe I shprehu mirënjohje bordit drejtues të saj.

Në këtë ngjarje kryeministri ishte i shoqëruar nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në New York, Blerim Reka.

(r.m.)