Kurti: Uashingtoni nuk duhet të presë që unë ta shoh Beogradin me sytë e DASH-it

Prishtinë, 30 mars 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai nuk pret që SHBA-të ta shohin Beogradin me sytë e tij, por as SHBA-të nuk duhet të presin që ai ta shohë Beogradin me sytë e Departamentit Amerikan të Shtetit.

“…Unë ua kam bërë të qartë të gjithëve një gjë: as nuk pres që SHBA-të ta shohin Beogradin zyrtar me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e Departamentit Amerikan të Shtetit’”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se Kosova ka qenë viktimë e Serbisë, ndërsa SHBA-të kanë qenë dëshmitarë, gjë që i bën të ndryshme qëndrimet e tyre ndaj Serbisë.

“Viktima dhe dëshmitari nuk janë e njëjta gjë. Prandaj, unë besoj që Serbinë e njoh më mirë dhe nuk mund të kem qëndrim e ndjeshmëri të njëjtë me atë të Departamentit Amerikan të Shtetit. Kjo do të thotë që duhet të bashkëbisedojmë. Marrëdhënia jonë duhet të jetë marrëdhënie mes aleatëve, partnerëve dhe miqve, mirëpo kjo nuk do të thotë që duhet të jemi identikë”, ka thënë Kurti në podkastin “Public Square” të ish-ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Kurti ka thënë se me partnerët ndërkombëtarë dëshiron të krijojë marrëdhënie partneriteti. Ai ka thënë se me SHBA-të ndonjëherë ka dallime për çështje të caktuara, por ato edhe hiperbolizohen.

“Unë jam bërë kryeministër pas një plejade të kryeministrave që ishin shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin dhe mjaft të ndryshëm prej meje. Kjo ma vështirëson punën për ndërtimin e raporteve të reja që unë dua të kem me të gjithë partnerët tanë perëndimorë. E kjo është një rrugë dykahore e jo vetëm njëkahore. Në një marrëdhënie merret edhe jepet dhe jo vetëm jepet. Unë besoj që kjo është arsyeja që mbivlerësohen dhe mbitheksohen dallimet për çështje të caktuara që kohë pas kohe i kemi me SHBA-të”, ka shtuar ai.

Kurti ka thënë se ambiciet e tij për Kosovën dhe për shqiptarët janë më të mëdha se ato të Uashingtonit dhe Brukselit dhe këtë e ka cilësuar si gjë normale.

“Paramendoni sikur të ishte ndryshe. Çfarë ardhmërie mund të presim ne për shtetin tonë dhe për gjithë kombin tonë nëse ndërkombëtarët i kanë më të mëdha ambiciet për ne se sa ne vetë për kombin tonë? Ne gjithmonë duhet të kemi ambicie më të larta për veten tonë se sa kanë partnerët, aleatët dhe miqtë tanë, të cilëst, sigurisht, janë të paçmueshëm dhe të pazëvendësueshëm”, ka theksuar Kurti.

Video

(r.m.)