Kurti udhëton për në Nju Jork, për takime bilaterale me liderë të vendeve anëtare të OKB-së

Prishtinë, 25 shtator 2025 – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njoftoi Zyra e Kryeministrit.

Në njoftim thuhet se Kurti do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të vendeve të ndryshme, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Përmes pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë dhe takimeve të parapara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Republika e Kosovës ofron për investitorë të huaj”, thuhet në njoftim.

Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se Kurti, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të takohet edhe me komunitetin shqiptar dhe me përfaqësues të shoqatave shqiptare në SHBA.

Udhëtim i Kurtit në Nju Jork vjen dy javë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi të pezullojë fillimin e dialogut strategjik me Kosovën. Ky vendim u mor për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë të Kosovës, të cilat, siç u tha, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend.

Ambasada amerikane në Prishtinë tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga Kurti kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha ajo, pa shpjeguar se për çfarë deklaratash dhe veprimesh bëhet fjalë saktësisht.

Kurti tha më vonë se Qeveria në detyrë ka “disa” dallime në qëndrime me SHBA-në, por nguli këmbë se raportet mes dy vendeve nuk janë prishur.

(r.m.)