Kurti: Vendimi i BQK-së për dinarin është i panegociueshëm

Prishtinë, 31 janar 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përjashtuar mundësinë e shtyrrjes së zbatimit të rregullopres së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për përdorim vetëm të euros në operacionet me para të gatshme në Kosovë.

Kjo rregullore, e cila hyn në fuqi të enjten, më 1 shkurt, pamundëson pagesat me dinarë të Serbisë të operacionet me para të gatshme.

Kurti ka thënë se vendimet e BQK-së janë të pavarura dhe ka theksuar se ajo “vetëm është duke e bërë punën e saj”.

“Vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës janë vendime të pavarura, sepse BQK-ja është institucione i pavarur. Rregulloret të cilat ata i sjell ajo janë krejtësisht në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjin, prandaj unë besoj që duhet ta lëmë të qetë BQK-në dhe guvernatorin Ahmet Ismaili që ta bëjë punën e ti, ashtu siç e ka fituar besimin në Kuvend”, është shprehur ai.

Kurti nuk ka folur lidhur me kërkesat e faktorit ndërkombëtarë për shtyrje të zbatimit të rregullores, duke mohuar pretendimet se ajo do të ketë efekte negative në mjediset ku serbët përbëjnë shumicën,

“Ne nuk po dëshirojmë të ndëshkojmë askë, por vetëm po vendosim ligjshmëri, kushtetutshmëri dhe rregullsi edhe në veriun e Kosovës edhe gjithandej në Kosovë ku ka serbë, që janë një komunitet i cili me ka mua kryeministër dhe Ahmet Ismailin e ka guvernator. Jemi dëshmitarë që me masat që i kemi marrë nuk do të ‘i dëmtojnë sepse shumica dërrmuese e tyre kanë llogari bankare në bankat e Kosovës dhe nëse nuk kanë hapjen e një xhirollogarie edhe mirëmbajtjen e saj e kanë falas”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se pagat, pensionet, shtesat e fëmijëve dhe ndihmat sociale nga Serbia, të cilat paguhen me dinarë serbë, mund të bëhen pa asnjë problem përmes instituconeve financiare.

“Në katër komunat në veri janë katër degë të bankave dhe janë 15 institucione financiare jobankare ku do të mund të dërgohen dërgesat e pagesat dhe ku do të mund të merren të gjitha ato në euro”, ka thënë Kurti.

“Euroja është valutë që na vjen nga BE-ja. Ne nuk jemi duke i thënë askujt ‘merr valutën lekë të Shqipërisë apo një valutë të re, Dardan të Kosovës, por euron, euron si mjet të vetëm të pagesës edhe shitblerjes, siç është përcaktuar në mënyrë të qartë. Në Republikën e Kosovës kjo nuk është çështje e negociueshme”, ka theksuar ai.

(r.m.)