Prishtinë, 30 korrik 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të zbatojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për dokumentet personale të identifikimit dhe për regjistrimin e automjeteve të tyre të regjistruara në Serbi.
Kurti, përmes një video-mesazhi në gjuhën serbe, u ka thënë serbëve se Qeveria e Kosovës po e zbaton marrëveshjen me Serbisë, të arritur në kuadër të dialogut, në Bruksel, dhe në respektim të ligjit.
“Kjo që po fillojmë ne tani, më 1 gusht, Serbia ka filluar ta zbatojë para 11 vjetësh. Ne do të jemi në dispozicion duke dëshmuar që çdo veprim i yni është vetëm respektimi i ligjit i cili si i tillë, trajton secilin dhe të gjithë njësoj”, tha Kurti.
Kurti shpjegoi se me vendimin e qeverisë të gjithë personat që kanë dokumente personale identifikimi të lëshuara nga Serbia do të pajisen me dokument të përkohshëm të Kosovës që do të përdoret për hyrje-dalje dhe për lëvizje në Kosovë.
Ai theksoi se ky vendim është mjet për mbrojtjen e serbëve nga veprimet diskriminuese.
“… është përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave, të drejtave tuaja, si shtetas të Republikës së Kosovës”, theksoi Kurti.
Të shtunën, pas kthimit nga SHBA, Kurti bëri të ditur se përzbatimin e këtij vendimi do të diskutohet të dielën, më 31 korrik, në Këshillin e Sigurisë së Kosovës.
“E dimë që ka njerëz jashtë ligjit, ka kriminelë të llojeve dhe ngjyrave të ndryshme të cilëve nuk iu pëlqen ligjshmëria dhe kushtetutshmëria dhe të cilët dëshirojnë ta sfidojnë shtetin e Kosovës. Andaj, kjo mbledhje është për të diskutuar se a janë marrë të gjitha masat që gjithçka të shkojë ashtu siç është menduar, pra ashtu siç është planifikuar gjithnjë sipas shtetit të së drejtës, që është edhe sundim i ligjit edhe kushtetutshmëri”, tha Kurti.
(r.m.)