Kurti vizitoi publike në Bronx, ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe

Nju Jork, 20 shtator 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se, gjatë qëndrimit në Nju Jork, e ka vizituar shkollën publike 108 Philip J. Abinanti në Bronx, ku mësimi zhvillohet në gjuhën angleze dhe në gjuhën shqipe.

Kurti, në një postim në Facebook, e ka cilësuar arritje të rëndësishme të komunitetit shqiptar në Nju Jork mësimin e gjuhºs shqipe në shkollë publike.

“Një arritje e rëndësishme e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe një shembull suksesi që duhet ndjekur e zgjeruar gjithandaj, ashtu që gjuha shqipe, si themel i identitetit tonë, të ruhet e kultivohet brez pas brezi kudo në mërgatë”, ka shkruar ai.

Kurti i ka vlerësuar z. Mark Gjonaj dhe znj. Drita Gjongecaj për këtë nismë të rëndësishme, si edhe drejtoren e shkollës znj. Stefania Cedrola Mustafa.

Ai ka bërë të ditur se nxënësve të kësaj shkolle ua ka shpërndarë Abetaren, Librin e leximit dhe Fletoren e punës të gjuhës shqipe.

Postimi i plotë:

Dy vende aleate, dy popuj miq, e për të dytin vit akademik mësim në dy gjuhë, anglisht e shqip, në një shkollë në New York.

Kënaqësi e jashtëzakonshme të vizitoj shkollën publike amerikane P.S. 108 Philip J. Abinanti në Bronx, në të cilën nga shtatori i vitit të kaluar, për herë të parë, ka nisur aplikimi i programit akademik dygjuhësh anglisht-shqip. Një arritje e rëndësishme e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe një shembull suksesi që duhet ndjekur e zgjeruar gjithandaj, ashtu që gjuha shqipe, si themel i identitetit tonë, të ruhet e kultivohet brez pas brezi kudo në mërgatë.

Tash përveçse detyrë shtëpie, mësimi në gjuhën amë të prindërve është edhe punë në fletoret në klasë. Kjo forcohet edhe më shumë sepse fëmija rritet midis nënës si mësuese e parë dhe mësueses si nënë e dytë, midis kujdesit si dashuri dhe mësimit si dituri.

Shqipja mbijetoi përkundër pushtimeve të trojeve ku buron dhe trysnive nga jashtë, sikurse rroi edhe larg atdheut. Arbëreshët e Italisë e kanë ruajtur gjuhën e tyre për më shumë se pesë shekuj. Dhe vetë gjuha tregon historinë e tyre: është një shqipe që bart udhëtimin, largësinë nga atdheu dhe, njëkohësisht, rrënjosjen e thellë në identitetin shqiptar.

Por rilindësve tanë nuk u mjaftonte që shqipja vetëm të mbijetonte. Ata donin që ajo të ishte edhe gjuhë e dijes, e kulturës dhe e mendimit të lartë. Në vitin 1908, në Kongresin e Manastirit, shqiptarët u bashkuan rreth një alfabeti të përbashkët. Po atë vit, këtu në Shtetet e Bashkuara, në Boston, Fan Noli mbajti meshën e parë në gjuhën shqipe. Noli dhe rilindësit tanë në mërgim kuptuan se pa ruajtur gjuhën, diturinë dhe kulturën, nuk mund të ruhet as kombi. Ata na treguan se diaspora nuk është thjesht një strehë larg atdheut, por një motor i mendimit, i emancipimit dhe i shtetformimit tonë.

Abetarja, fletorja e punës dhe libër leximi që ua shpërndava nxënësve nuk do të jenë fundi, Qeveria jonë përherë do të mbështesë iniciativa të tilla për mësim në gjuhën shqipe në mërgatë. Falënderoj z. Mark Gjonaj dhe znj. Drita Gjongecaj për këtë nismë të rëndësishme, po ashtu drejtoren e shkollës znj. Stefania Cedrola Mustafa, dhe u uroj fëmijëve mësim të mbarë!

(r.m.)

May be an image of one or more people and crowd

May be an image of crowd

May be an image of crowd and text

May be an image of text that says "P.S. P.S.108 108 Albanian Lenguege chool welcomes Prime Minister Mlbin Kurti Virëscrini se zini"

 

May be an image of crowd and text

May be an image of crowd and text

May be an image of crowd

May be an image of text