Uashington, 30 shtator 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u prit në takime të veçanta në Uashington D.C. me kongresistët amerikanë nga radhët e Partisë Demokratike, Ritchie Torres e James McGovern.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se Kurti e falënderoi kongresistin Torres për qëndrimet e tij të hapura dhe të zëshme në mbështetje të Kosovës dhe e informoi për progresin ekonomik dhe demokratik që vendi ka shënuar vitet e fundit, si edhe për zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe rajon.
Kurti, sipas njoftimit, ka shprehur aspiratën e palëkundur të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si orientim dhe objektiva strategjike të Kosovës. Ai ka theksuar planet e mëdha investive në vend, përfshirë projektin e hekurudhës Prishtinë–Durrës, zhvillimin e hovshëm të sektorit të teknologjisë dhe mundësitë që kompanitë amerikane të investojnë në Kosovë.

Kurti e ka njoftuar edhe kongresistin McGovern për zhvillimet e fundit dhe për progresin në Kosovë. Po ashtu, e ka njoftuar për vendimet e Qeverisës së Kosovës që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Në këtë kontekst, ai e ka njoftuar kongresistin McGovern për vendimin për pranimin e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta nga Shtetet e Bashkuara, vendimin për heqjen e tarifës doganore ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga Shtetet e Bashkuara si edhe vendimin për vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën nga administrata e re amerikane.
Gjatë bisedës, Kurti dhe kongresisti McGroven janë pajtuar të punojnë së bashku për forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në rritjen e investimeve në biznes dhe në krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik.
Kurti e ka vlerësuatr kongresistin McGovern për mbështetjen e vazhdueshme të procesit të avancimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai e ka vlerësuar edhe për angazhimin e tij të palodhshëm në kërkim të drejtësisë për vëllezërit Bytyqi, të vrarë nga shteti i Serbisë në verën e vitit 1999.

(r.m.)