Kusari-Lila: Në draftin e statutit të Asociacionit nuk ka autonomi për serbët

Prishtinë, 4 dhjetor 2023 – Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë bërë asnjë kompromis dhe se në draftin e statutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe, të propozuar nga ndërkombëtarët, nuk ka autonomi për serbët në Kosovë.

“Nuk flasim fare për situata në të cilat në një mënyrë ose në një tjetër mund të rrezikohet rendi kushtetues në Kosovë”, ka thënë Kusari-Lila të hënën, në KTV.

Ajo ka thënë se Qeveria i ka dërguar komentet për pikat e draftit të statutit që mund të kenë dykuptimësi dhe tani është në pritje të përgjigjeve nga hartuesit.

“E kemi një dokument i cili paraqitet në formë jo të finalizuar, për të cilin kryeministri bashkë më zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, kanë dërguar komentet e tyre, ndërsa përgjigjet për to ende nuk janë dhënë”, ka thënë ajo.

“Nga zyra e kryeministrit janë trajtuar dhe janë dërguar komente për plotësim, në mënyrë që të kemi diçka të pranueshme dhe në mënyrë që të parandalohet çfarëdo dykuptimësie”, është shprehur Kusari-Lila.

(r.m.)