Nju Jork, 5 nëntor 2025 – Zohran Mamdani, i cili ishte pothuajse i panjohur vetëm një vit më parë, u zgjodh kryetar i 111-të i Nju Jorkut.
Po kush është Zohran Kwame Mamdani?
Mamdani lindi më 8 tetor 1991 në Kampala, në Ugandë, me emrin Zohran Kwame Mamdani.
Ai është musliman me prejardhje indiane. Nëna e tij, Mira Nair, është regjisore e njohur, ndërsa babai i tij, Mahmood Mamdani, është shkencëtar.
Familja e Mamdanit ishte zhvendosur përkohësisht nga Uganda në Afrikën e Jugut kur Zohran ishte pesë vjeç, kurse dy vjet më vonë kishte arritur në Nju Jork. Zohran e ka përshkruar fëmijërinë e tij si “të privilegjuar”, por pranon se përvoja e tij nuk ishte tipike për atë qytet.
Ngjitja politike e tij ka qenë e shpejtë. Në vitin 2020 ai u zgjodh anëtar i Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut.
Në tetor të vitit 2024, kur e shpalli kandidaturën për kryetar të bashkisë së Nju Jorkut, shumë njerëz menduan se ai nuk kishte asnjë shans për nominim. Por, në fund e mundi bindshëm kryetarin aktual të Nju Jorkut, Andre Cuomo, me 56,4 për qind të votave.
Cilat janë pikëpamjet e tij politike?
Pjesërisht falë punës së mëparshme, kur u ndihmonte të varfërve të shmangnin dëbimet e detyruara, strehimi i përballueshëm për qytetarët është bërë shtylla kryesore e fushatës së tij. Në metropolin që i ka qiratë më të shtrenjta në botë, ku një apartament mesatar me tri dhoma kushton 8.500 dollarë në muaj (rreth 7.350 euro), thirrjet për ngrirjen e qirave të banesave me qira të rregulluara, për ndërtimin e më shumë banesave të përballueshme dhe për kontroll më të rreptë të pronarëve privatë të banesave kanë gjetur mbështetje të madhe te qytetarët.
Me anëtarësimin në grupin socialisto-demokrat, Mamdani i konfirmoi më shumë bindjet e tij ideologjike. Ai propozoi një taksë të unifikuar prej 2 për qind në të ardhurat mbi një milion dollarë në vit, rritje të taksës në fitim, futjen e transportit publik falas me autobusë, pagë minimale prej 30 dollarësh në orë (në vend të 16,50 që është tani) dhe zgjerimin e kujdesit publik për fëmijët.
“Duhet të flisni në një gjuhë që të gjithë e kuptojnë dhe në të cilën mund të identifikohen”, tha Mamdani për të përjavshmen britanike The New Statesman.
“Dhe duhet të flisni për betejat që njerëzit i përballojnë çdo ditë. Partia Demokratike shpesh flet për demokracinë, por nëse nuk mund të përballoni të jetoni në qytetin që e quani tuajin – nuk keni kohë të shqetësoheni për vlerat”, shtoi ai.
Pse është i rëndësishëm posti i kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut?
Nju Jorku, me pothuajse 8,5 milionë banorë dhe me rreth 65 milionë vizitorë në vit, është një qendër financiare dhe kulturore globale që përballet me sfida serioze në fushat e strehimit, transportit dhe financave publike. Kryetari i bashkisë ka në dispozicion një buxhet prej 116 miliardë dollarësh dhe ka kompetenca të gjera.
Mamdani ka pikëpamje diametralisht të kundërta me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Për këtë arsye, marrëdhëniet midis tij e Trumpit mund të shndërrohen në një fushëbetejë tjetër të politikës amerikane.
Gjatë fushatës zgjedhore, Trump e ka quajtur Mamdanin “një komunist i çmendur” dhe “një katastrofë që mezi pret të ndodhë”.
Ndërsa Mamdani ka thënë se ai do të përpiqet të bashkëpunojë me presidentin Trump “për të mirën e qytetit”, por ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që të indimidohet nga Trump.
(r.m.)