Prishtinë, 25 mars 2026 – Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të pafektshëm dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe i ka dhënë Kuvendit të Kosovës edhe 34 ditë afat shtesë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Në rast se presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e rejas mbahen brenda 45 ditësh.
Kjo është përmbajtja e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që hyri në fuqi që sot, më 25 mars 2026
“Dekreti [nr.24/2026] i 6 marsit 2026 i Presidentes së Republikës së Kosovës nuk prodhon asnjë efekt juridic”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që u publikua sot pasdite.
“… deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi kanë tridhjetë e katër (34) ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet më tutje në aktgjykim.
Gjykata ka thënë se nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e ri brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe menjëherë shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
“… në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin brenda periudhës 34 ditëshe, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në aktgjykim.
Gjykata Kushtetuese tha se ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Kjo domethënë se Kuvendi I Kosovës ka 34 ditë afat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit prej ditës së sotme.
Gjykata e ka anuluar vendimin e saj të mëparshëm për masën e përkohshme të vendosur më 9 mars 2026 dhe ka urdhëruar publikimin e këtij aktgjykimi në Gazetën Zyrtare të Kosovës.
Gjykata ka thënë se ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës, i konstituaar më 11 shkurt, nuk i ka pasur 60 ditë në dispozicion për të përfunduar procedura për zgjedhjen e peridentit, siç është përcaktuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Megjithatë, duke iu referuar nënparagrafit 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet që Kuvendi shpërndahet në rastin kur “nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës”, Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë (60) ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e Presidentit. Si rrjedhojë, Gjykata rithekson se interpretimi i saj lidhur me afatet kushtetuese të përcaktuara me nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, për zgjedhjen e Presidentit, ashtu siç është specifikuar në paragrafët 153-162 të këtij Aktgjykimi, mbeten të aplikueshme në të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”, thuhet në akgjykimin e Kushtetueses.
Ky aktgjykim u mor në bazë të kërkesës së Kryeministrit Albin Kurti të dërguar në emër të Qeverisë dhe kërkesës së shefes së grupit parlam,entar të Lëvizjes Vetëvdnsoje, Arbërie Nagavcit, të dërguar në emër të 30 deputetëve.
(r.m.)