Kushtetuesja i bashkon në një kërkesën e Kurtit dhe atë të LVV-së për dekretin e Presidentes

Prishtinë, 12 mars 2026 – Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur të bashkojë në një procedurë të vetme kërkesën e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, dhe atë të 30 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me dekretin e presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.

Zyrtari për media në Gjykatën Kushtetuese, Veton Dula, ka thënë se të dy kërkesat do të shqyrtohen së bashku pasi ato e kanë të njëjtin objekt shqyrtimi.

“Gjykata ka vendosur që të bashkojë kërkesën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës përkitazi me Dekretin e Presidentes me kërkesën e parashtruar nga znj. Arbërie Nagavci dhe 30 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për shkak të objektit të njëjtë të çështjes”, ka thënë Dula për Telegrafin.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe e ka pezulluar çdo veprim të Kuvendit deri më 31 mars. Pritet që deri në këtë ditë Kushtetuesja të vlerësojë kushtetutshmërinë e dekretit të Presidentes dhe të procedurës për zgjedhjen e presidentit të ri të republikës nga Kuvendi.

Partitë opozitare e kanë mirëpritur dekretin e Presidentes, ndërsa LVV-ja e ka cilësuar atë si akt jokushtetues, me arsyetim se në Kuvend ka nisur procedura e zgjedhjes së Presidentit dhe ajo mund të zgjasë deri në 60 ditë.

Presidentja e Kosovës është në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye ajo nuk e ka shpallur ende datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

(r.m.)