Kushtetuesja shfuqizon vendimin për shkarkimin e pesë anëtarëve të KPMSHCK-së

Prishtinë, 15 dhjetor 2021 – Gjykata Kushtetuesja e Kosovës e ka shfuqizuar vendimin për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

Gjykata Kushtetuese e ka shqyrtuar shkarkimin e tyre me kërkesë të 11 deputetëve opozitarë të Kuvendit të Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën KO 127/21, të parashtruar nga Abelard Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-029], të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata ka gjetur se vendimi për shkatkimin e anëtarëve të KPMSHCK-së nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën.

“Gjykata rikujton që më 30 qershor 2021, duke u bazuar në rekomandimin e Komisionit të Kuvendit për Administratë Publike, Kuvendi votoi për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Duke kontestuar kushtetutshmërinë e këtij akti, parashtruesit e kërkesës, ndër të tjera, pretenduan para Gjykatës se Vendimi i kontestuar i Kuvendit, cenon pavarësinë e Këshillit, të garantuar me nenin 101 [Shërbimi Civil] dhe me nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës, duke theksuar se Këshilli, si organ i pavarur kushtetues, nuk mund t’i nënshtrohet ndërhyrjeve nga ana e Kuvendit dhe se për shkarkimin kolektiv të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, nuk janë përmbushur asnjë nga kriteret e përcaktuara përmes Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Pretendimet e dorëzuara në Gjykatë nga një deputet i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, ndër të tjera, theksojnë se Kuvendi në nxjerrjen e Vendimit të kontestuar ka vepruar në përputhshmëri me funksionin e tij mbikëqyrës, ndërsa rasti i ngritur para Gjykatës, nuk ngërthen çështje kushtetuese”, shpjegon  gjykata.

Më 27 tetor 2021, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur masën e pezullimit të përkohshëm të vendimit për shkarkimin e 5 anëtarëve të KPMSHCK deri më 15 dhjetor të këtij viti.

(r.m.)