Tiranë, 4 dhjetor 2025 – Gjykata Kushtetuese vendosi të shtyjë më 12 dhjetor mbledhjen e Gjyqtarëve për shqyrtimin paraprak të kërkesës së kryeministrit Edi Rama për pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.
“Gjykata informon se shqyrtimi paraprak i çështjes nga Mbledhja e Gjyqtarëve do të bëhet në datën 12.12.2025 për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës si dhe mbështetur në kërkesën e disa prej anëtarëve të saj,” thuhet në njoftim.
Çështja kaloi në Mbledhjen e Gjyqtarëve të martën, pasi Kolegji i Gjykatës Kushtetuese nuk arriti të marrë një vendim unanim për pranimin ose rrëzimin e padisë së kryeministrit Edi Rama.
Më 12 dhjetor, gjykata do të vendosë për ligjshmërinë e kërkesës me 4 pika të Ramës dhe të shprehet për njërën nga pikat, që kërkon pezullimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme, GJKKO, për pezullimin e Ballukut nga detyrat ekzekutive deri në shqyrtimin në themel të çështjes.
Ndërkohë, Kryeministri vijon ankesat publike ndaj vendimit të gjykatës për pezullimin e Ballukut nga detyra, e cila në rolin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzohet se ka ndërhyrë dhe vendosur në mënyrë të paligjshme për dy tendera me vlerë 210 milionë euro.
Të mërkurën, Rama e quajti këtë vendim si “absurd” dhe me “pasoja që cënojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik”.
Për të justifikuar këto ‘pasoja’, ai solli si shembull mbetjen pa firmosur për shkak të pezullimit të ministrit të një marrëveshje me Kanadanë për nisjen e fluturimeve direkte.
Përveç ‘rikthimit’ në detyrë të Ballukut, Rama i ka kërkuar Kushtetueses që të zgjidhë mosmarrëveshjen e kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së një ministri.
Prej momentit të dorëzimit të kërkesës, ai ka shtuar presionet publike ndaj gjykatës për një vendimmarrje në favor të kërkesës së tij, duke e konsideruar pezullimin e bashkëpunëtores së tij të ngushtë “si precedent unikal dhe të rrezikshmëm”.
Gjykata e Posaçme vendosi që ta pezullonte zv.kryeministren nga detyra dhe të ndalonte udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera pasi akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese.