Kushtetuesja thotë se ka filluar procedimin e tri kërkesave lidhur me konstituimin e Kuvendit

Prishtinë, 24 korrik 2025 – Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konfirmuar se tashmë janë duke u proceduar tri kërkesa lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës: dy kërkesa të dërguara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe kërkesa e dërguar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Janë duke u shqyrtuar kërkesat që lidhen me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Edhe kërkesa e dorëzuar nga presidentja e Republikës së Kosovës më 22 korrik 2025 është duke u proceduar nga Gjykata”, ka thënë Zyra për media e Gjykatës Kushtetuese, në një përgjigje me shkrim për Telegrafin.

Kërkesat e PDK-së dhe LDK-së janë dorëzuar në fillim të korrikut, ndërsa kërkesa e Presidentes Osmani u dorëzua të martën.

Në kërkesat e partisë së dytë dhe partisë së tretë në Kuvend, PDK-së dhe LDK-së, kërkohet vlerësimi i kushtetutshmërisë së votimit për formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë të kandidatit apo kandidates për kryetare të Kuvendit, siç insiston partia më e madhe në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërkaq, në kërkesën e dërguar nga Presidentja Osmani kërkohet shpjegim për pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit prej 30 ditësh, të përcaktuar nga vetë Gjykata Kushtetuese.

Afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese skadon më 26 korrik, pas vetëm dy ditësh, prandaj shqyrtimi i kërkesës së Presidentes Osmani konsiderohet si çështje urgjente. Presidentja Osmani ka kërkuar gjithashtu pezullimin e afatit 30 ditor si masë të përkohshme, me qëllim që të shmangen veprimet që bien ndesh me Kushtetutën dhe të mundësohet formimi i institucioneve të reja edhe pas afatit 30 ditor.

Gjykata Kushtetuese nuk ka thënë se sa kohë i duhet për të shqyrtuar kërkesën e Presidentes dhe për të vendosur për çështjen që e ka shkruar ajo.

Sipas dinamikës së procedimit të kërkesave që i janë dërguar deri më tash, është pak e pritshme që Gjykata Kushtetuese të vendosë shpejt lidhur me tri kërkesat që i ka në procedim. Aq më pak i pritshëm është aktgjykimi i çështjes së afatit 30-ditor, të ngritur nga Presidentja.

(r.m.)