Kushtetuesja vendos: Konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet brenda 30 ditësh; Kryetari zgjidhet me votim të hapur; Në votim duhet të marrin pjesë të gjithë deputetët

Prishtinë, 8 gusht 2025 – Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit.

Në aktgjykimin e publikuar të premten në mesditë, Kushtetuesja bëri të ditur se ka konstatuar njëzëri se as kryesuesi i seancës konstituive dhe as deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit 2025.

Kushtetuesja qartësoi se procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh, se zgjedhja e kryetarit duhet të bëhet përmes votimit të hapur, dhe se për kandidatin e njëjtë mund të votohet jo më shumë se tri herë.

Kushtetuesja e urdhëroi kryesuesin e seancës konstituive që të vazhdojë seancën aty ku ka mbetur, me pikën e tretë të rendit të ditës, ndërsa deputetët i urdhëroi të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë “për”, “kundër” ose “abstenim”.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 7 gusht 2025 vendosi lidhur me kërkesat KO193/25 dhe KO196/25, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së  “Vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025.”, të parashtruar ngaKO193/25Memli Krasniqi dhe 12 (dymbëdhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe KO196/25, Hykmete Bajrami dhe 10 (dhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata, vendosi: 

  1. TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme; 
  2. TË KONSTATOJË, njëzëri, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme; 
  3. TË KONSTATOJË, njëzëri, që Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me  Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; 
  4. TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim  me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve]të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë; 
  5. TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë; 
  6. TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi; 
  7. TË VAZHDOJË, njëzëri, masën e përkohshme të vendosur më 24 korrik 2025 deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi; 
  8. T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve; 
  9. TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; 
  10. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org

(r.m.)