Prishtinë, 8 tetor 2025 – Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka publikuar të mërkurën aktgjykimin e plotë lidhur me ankesën e dorëzuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – që ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit.
Gjykata ka bërë të ditur në vendimin e publikuar ditë më parë se Kuvendi nuk është konstituuar dhe u ka dhënë 12 ditë afat deputetëve që ta finalizojnë procesin, prej ditës së publikimit të plotë të vendimit në faqen e saj.
Aktgjykimi i plotë është publikuar më 8 tetor.
“Gjykata rikujton se nga dispozitat kushtetuese, të Rregullores së Kuvendit dhe praktika gjyqësore e Gjykatës nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, qofshin ata që propozohen nga 3 (tre) grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë. Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve”, është thënë në vendimin e plotë.
Gjykata ka thënë mes tjerash se “bazuar në praktikën parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë që nga viti 2011, nënkryetarët nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, janë votuar dhe zgjedhur në pako. Kësisoj, Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit”.
Lista Serbe ishte ankuar pikërisht për këtë pikë të procedurës, duke vlerësuar se mosvotimi në pako i dy nënkryetarëve nga pakicat, përbënte shkelje.
Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga minoriteti joserb, ndërsa asnjëri deputet serb nuk i ka siguruar votat e nevojshme për pozitën e rezervuar për këtë minoritet, pavarësisht disa rundeve të votimit dhe ndryshimit të emrave të kandidatëve.
Pas pranimit të ankesës, Gjykata Kushtetuese pati vendosur një masë të përkohshme, e cila ua ka ndaluar deputetëve të ndërmerrnin veprime drejt formimit të Qeverisë së re, meqë ka pasur dyshime për ndonjë shkelje kushtetuese.
Ajo e ka bërë të qartë se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar, pa u zgjedhur edhe nënkryetari serb.
(Radio Evropa e Lirë)