Kuvajti i vlerëson mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik me Kosovën

Ambasadori Diplomatik Naif Alenezi, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Kuvajtit në Shqipëri dhe jorezident në Kosovë, priti të enjten në Tiranë z. Vehbi Bajrami, biznesmen i suksesshëm në SHBA dhe botues i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York.

Gjatë takimit u bisedua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit midis Kuvajtit dhe Kosovës, me theks në bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve.

Z. Bajrami, i cili është njëri prej veprimtarëve më të njohur në përkrahje të çështjes së Kosovës dhe kauzave shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e vlerësoi mbështetjen e Kuvajtit për popullin e Kosovës. Ai tha se qytetarët e Kosovës janë shumë mirënjohës për ndihmën bujare të vendit dhe popullit mik të Kuvajtit për popullsinë e cfilitur nga lufta.

Bajrami shprehu besimin se marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve do të marrin dimensione të reja tani, në fazën e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Ai tha se Kosova ka burime dhe potencial për zhvillim të shpejtë ekonomik të Kosovës dhe theksoi mundësitë e investimeve të investitorëve kuvajtianë në projekte me interes edhe për Kuvajtin.

Z. Bajrami i vlerësoi edhe marrëdhëniet ekonomike mes Amerikës dhe Kuvajtit si edhe bashkëpunimin në fushë të mbrojtjes e sigurisë globale.

“Kuvajti është njëri ndër aleatët kryesorë të Amerikës, gjë që është dëshmuar sidomos gjatë krizave në rajon, përfshirë edhe këto të fundit”, u shpreh ai.

Ambasadori Alenezi, nga ana e tij, shprehu kënaqësinë që vendi i tij ka mbështetur realizimin e disa projekteve për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, pas përfundimit të luftës. Ai i kujtoi disa prej projekteve për ndërtimin e banesave për qytetarët që kishin mbetur pa strehë mbi kokë dhe projekteve për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore e sociale në Kosovë.

Z. Alenezi u pajtua se Kuvajti mund të ndihmojë në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës, përmes investimeve në projekte të ndryshme zhvillimore. Ai shprehu bindjen se investitorët kuvajtianë do të shohin me interes investimet në Kosovë, duke theksuar se institucionet qeveritare do të ofrojnë gjithë mbështetjen e nevojshme për reaklizimin e projekteve me interes të dyanshëm.

Në takim morën pjesë edhe Beqir Ismaili, ish-ambasador i Republikës së Kosovës në Egjipt, njohës shumë i mirë i botës arabe, dhe Ramadan Muçolli, redaktor i gazetës “Illyria” për Kosovë.

Gjatë takimit u bisedua edhe për mundësitë e bashkëpunimit kulturor midis dy vendeve dhe dhe promovimit të vlerave të të dy popujve.

(Illyria)

Në fotografinë lart:

Ambasadori Naif Alenezi (i dyti nga e djathta), Vehbi Bajrami (i pari nga e djathta), Beqir Ismaili (i treti nga e djathta) dhe Ramadan Muçolli (i katërti nga e djathta)