Prishtinë, 30 gusht 2025 – Kuvendi i Kosovës dështoi ta zgjedhë nënkryetarin nga komuniteti joshumicë serb, të shtunën.
Dy deputetë e Listës Serbe, Miljana Nikoliq dhe Igor Simiq, të cilët u hodhën në votim përmes shortit nga kryetari Dimal Basha, nuk e morën asnjë votë në tri runde të votimit për secilin. As deputeti tjetër nga ky komunitet, Nenad Rashiq, nuk arriti të zgjidhej në votimin e tretë. Ai i mori 56 vota, 5 më pak se të paktën 61 votat e nevojshme.
Sipas Rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës seanca konstituive përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve të Kuvendit. Megjithatë, kryeparlamentari Basha, e shpalli “të përmbyllur” seancën konstituive.
“Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë në lidhje me nënkryetarin që vjen nga pakica serbe, prandaj, në këtë rast, konsideroj se e kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës, konsideroj se kjo seancë konstituive është e mbyllur”, tha Basha.
Basha e thirri mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit për të hënën, më 1 shtator.
“Në emër të funksionalizimit të Kuvendit dhe materializimit të rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit, konsiderojnë se moszgjidhja e njërit prej gjashtë anëtarëve të kryesisë së Kuvendit nuk mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit”, theksoi Basha.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila është partia më e madhe në Kuvend, e vlerësoi të drejtë konstatimin e kryetarlamentarit Basha se seanca konstituive e Kuvend është përmbyllur, duke qenë se, sipas saj, tashmë janë “shteruar të gjitha mundësitë”. Depoutetët e kësaj partie, Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiu, thanë pas seancës se tani duhet të vazhdojë procesi për formimin e Qeverisë së re.
“Situata është kushtetuese, sepse kemi shterur të gjitha mundësitë. Janë tentuar të gjithë kandidatët dhe asnjëri nuk i ka marrë votat. Në situatë të tillë nuk mund të bllokohet vendi. Të vijmë te situata e mandatarit, pastaj shohim. Të vazhdohet me institucionet, krijimin e tyre. A i kemi numrat do ta shihni në seancën kur votohet Qeveria”, tha Murati.
Haxhiu tha se është e papranueshme që institucionet të mbeten peng i Listës Serbe.
“Është e papranueshme që një subjekt që nuk e njeh shtetin tonë të pretendojë të ketë rol në proceset demokratike që vetë i mohon. Nuk guxojmë të mbetemi peng i atyre që e mohojnë ekzistencën tonë si shtet”, tha ajo.
Haxhiu e la të hapur edhe opsionin e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Është e rëndësishme të ecim përpara me Kryesinë, kryetarin dhe nënkryetarët e zgjedhur. Jemi të interesuar të ecim përpara, ose me Qeverinë e re ose me zgjedhje”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, partitë opozitare e cilësojnë jokushtetuese shpalljen e seancës konstituive të Kuvendit sit ë përmbyllur.
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se kryeparlamentari nuk mund të vendosë për përfundimin e seancës konstituve. Ai tha se, sipas Kushtetutës, Kuvendi nuk mund të konstituohet pa zgjedhjen e përbërjes së plotë të kryesisë.
“Nuk varet nga vullneti dhe interpretimi i kryetarit të Kuvendit se përfundon apo jo seanca konstituive. Kjo është e qartë sipas Kushtetutës dhe Rregullores së punës”, tha ai, pas mbylljes së seancës konstituive.
Krasniqi tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka ftuar në takim të shtunën para seancës për të kërkuar mbështetje për zgjedhjen e Nenad Rashiqit për nënkryetar, por nuk ka pranuar të takohet.
“Kam refuzuar ta takoj Kurtin sot, sepse nuk ka pasur arsye të takohemi që të diskutojmë si ta shkelim Kushtetutën. Kurti ka dashur të takohet me insistim për të diskutuar si mund ta zgjedhim Rashqin nënkryetar, ndërsa nuk ka qenë i gatshëm të takohet as 10 minuta për të diskutuar për zgjedhjen e një kryetari të dinjitetshëm, një që s’është Dimal, që nuk i turpëron as ata vetë e as qytetarët”, u shpreh ai.
Krasniqi e cilësoi si një shkelje tjetër të Kushtetutës thirrjen e mbledhjes së kryesisë së Kuvendit nga kryeparlamentari Dimal Basha.
“Janë duke sharruar edhe më thellë në shkelje kushtetuese”, theksoi ai.
Edhe Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se mbyllja e seancës konstituive nga kryeparlamentari Basha pa e zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb është shkelje flagrante e Kushtetutës.
“Ishit dëshmitarë të një shkelje flagrante të Kushtetutës, ku kryetari i sapozgjedhur e mbylli seancën konstituive pa të drejtë, sepse rregullorja e thotë qartë që Kuvendi konstituohet dhe seanca mbyllet vetëm kur zgjidhen kryetari dhe të gjithë nënkryetarët”, tha ajo.
Bajrami shpjegoi përse deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës refuzuan të marrin pjesë në votimert për nëkryetarët e Kuvendit. Sipas saj, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i ka obliguar deputetët të vazhdojnë konstituimin e Kuvendit sipas agjendës së dakorduar më 8 prill. E këtu, siç tha ajo, “ka pasur pajtim që nënkryetarët të votohen në pako” dhe jo individualisht.
Bajrami përsëriti edhe një herë se Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon me shkeljet e Kushtetutës me qëllim që të vonojë rrjedhjen e afatit kushtetues për formimin e qeverisë së re. Sipas saj, këto shkelje bën me paramendim, sepse Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re.
(r.m.)