Kuvendi i Junikut – model për formësimin e vizionit politik të shqiptarëve në shekullin XXI

Prof. dr Skender Asani

Kuvendi i Junikut mbetet jo vetëm një pikë referimi historike, por një model për bashkimin e vizioneve në funksion të një projekti të madh kombëtar. Shekulli XXI kërkon një rilindje të re të mendimit dhe veprimit strategjik shqiptar. Është koha për të ndërtuar një epokë të re të bashkimit, përparimit dhe vetëdijes kombëtare – në frymën e Junikut, por me mjetet dhe sfidat e së sotmes.

 

Në historinë e kombeve, momentet kur ndërgjegjja kolektive ngrihet mbi ndasitë e përditshme dhe projekton një të ardhme të përbashkët, mbeten gurë kilometrikë të rrugëtimit kombëtar. Një nga këto momente për shqiptarët ishte padyshim Kuvendi i Junikut, i mbajtur më 21–25 maj 1912, që përfaqësonte një akt të thellë vetëdijeje politike dhe kombëtare në prag të shpërbërjes së Perandorisë Osmane.

Në atë moment kritik të historisë, kur harta e rajonit po ridizajnohej dhe popujt përreth artikulonin projektet e tyre shtetformuese, shqiptarët përmes Kuvendit të Junikut shfaqën me qartësi synimet e tyre politike: mëvetësinë, vetëvendosjen dhe ruajtjen e integritetit të hapësirës shqiptare.

Të udhëhequr nga figura si Hasan Prishtina, delegatët e atij kuvendi ndërtuan një arkitekturë politike me vizion afatgjatë, për të shmangur fragmentimin dhe për të garantuar përfshirjen e të gjitha trojeve shqiptare në projektin e përbashkët kombëtar.

Sot, pas më shumë se një shekulli, ndodhemi para një faze tjetër të rëndësishme historike: përmbylljes së disa proceseve të mëdha politike dhe përcaktimit euro-atlantik të hapësirës shqiptare. Në një botë ku konstelacionet gjeopolitike po ndryshojnë me shpejtësi, shqiptarët, për t’u përballur me sfidat e reja, kanë nevojë për të njëjtin mobilizim që karakterizoi Junikun e vitit 1912.

Zgjidhja përfundimtare për çështjen e Kosovës kërkon një qasje të mençur dhe gjithëpërfshirëse. Kjo nënkupton ndërtimin e një lidhjeje institucionale të fuqishme me Shqipërinë, si një formë funksionale e afrimit të mëtejshëm kombëtar, por edhe pranimin e kërkesave të miqve perëndimorë për të përmbyllur njohjen e plotë të shtetësisë së saj. Këta janë hapa strategjikë në drejtim të konsolidimit të pozitës së Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe të rumbullakimit të pavarësisë së saj.

Njëkohësisht, është e domosdoshme që me urtësi politike të rumbullaksohet edhe procesi i shtetformësisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, nëpërmjet rritjes së barazisë institucionale, afirmimit të përfaqësimit të drejtë dhe ndërtimit të partneritetit real me faktorin shtetëror. Ky proces duhet të udhëhiqet nga një mendësi moderne politike dhe nga një narrativ i ri që tejkalon provincializmat dhe ndarjet artificiale.

Në këtë kuadër, nuk mund të lihet pa u theksuar pozita strategjike që ka Shqipëria në rajon. Duke ecur me hapa të fuqishëm drejt integrimit evropian, ajo po shndërrohet në një faktor politik dhe ekonomik të rëndësishëm, si dhe në një shtyllë kyçe të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ky zhvillim e rrit rolin e Shqipërisë si urë lidhëse dhe si mbështetje e fuqishme për çështjet shqiptare në të gjitha hapësirat.

Një dimension i rëndësishëm i këtij mobilizimi është edhe mërgata shqiptare në botë. Kontributi i saj ndër shekuj ka qenë thelbësor për mbijetesën dhe afirmimin e shqiptarëve në Ballkan. Sot, në rrethana të reja, ajo duhet të jetë më e organizuar dhe më e angazhuar për vendlindjen – përmes investimeve ekonomike, mbështetjes së zhvillimit institucional dhe lobimit aktiv në mbrojtje të interesave kombëtare në qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes. Mërgata mund të shërbejë si një urë e fuqishme mes atdheut dhe botës perëndimore, duke ndihmuar në avancimin e qëllimeve të përbashkëta.

Kuvendi i Junikut nuk ishte një akt i izoluar. Ai ishte produkt i ndërgjegjësimit kombëtar dhe i ndjeshmërisë historike që kuptoi nevojën për unitet. Edhe sot, përballë sfidave të globalizimit, të fragmentimit të brendshëm politik dhe të përplasjes së interesave gjeopolitike, modeli i Junikut mbetet një udhërrëfyes për bashkërendimin e vizioneve dhe për ndërtimin e një platforme të përbashkët kombëtare.

 Kuvendi i Junikut mbetet jo vetëm një pikë referimi historike, por një model për bashkimin e vizioneve në funksion të një projekti të madh kombëtar. Shekulli XXI kërkon një rilindje të re të mendimit dhe veprimit strategjik shqiptar, ku bashkëpunimi institucional ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, afirmimi i barazisë në Maqedoninë e Veriut, integrimi i përshpejtuar i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe roli i fuqizuar i mërgatës shqiptare përbëjnë shtyllat e qëndrueshme të së ardhmes sonë. Vetëm përmes një mobilizimi të tillë gjithëkombëtar, me një mendësi të qartë euroatlantike dhe me një diplomaci të mençur, shqiptarët mund të sigurojnë vendin që u takon në hartën e re të rendit botëror dhe të kontribuojnë në paqen dhe zhvillimin afatgjatë të rajonit. Kjo është koha për të ndërtuar një epokë të re të bashkimit, përparimit dhe vetëdijes kombëtare – në frymën e Junikut, por me mjetet dhe sfidat e së sotmes.

Comment

*