Kuvendi i Kosovës e miratoi Deklaratën për përkujtimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë

Prishtinë, 11 korrik 2024 – Të enjten, në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur për shënimin e 29 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, në Bosnjë e Hercegovinë, Kuvendi i Kosovës e miratoi një deklaratë për përkujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit.

Në deklaratë, ndër të tjera, vlerësohet miratimi i Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që 11 Korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.

Aty thuhet se Kosova solidarizohet me të mbijetuarit e gjenocidit në Srebrenicë dhe përcjell mesazhin për parandalimin e akteve çnjerëzore kudo në botë.

“Kujtimi i Srebrenicës të shërbejë si kujtesë e mprehtë e përgjegjësisë kolektive për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen”, thuhet në deklaratë.

Përmes saj, Kosova e kundërshton mosndëshkimin e kryesve të gjenocidit, krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe shkeljeve të tjera të të drejtës humanitare ndërkombëtare.

Ajo mbështet përpjekjet për paqe të qëndrueshme, drejtësi dhe pajtim, si edhe për ruajtjen e stabilitetit dhe për nxitjen e unitetit e të diversitetit në Bosnjë e Hercegovinë.

Në deklaratë thuhet se në Kosovë do të organizohen ngjarje të veçanta dhe aktivitete të ndryshme në kujtim e nderim të viktimave të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, si edhe aktivitete të përshtatshme të edukimit dhe ndërgjegjësimit publik për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Deklarata u lexua nga nënkryetari i Kuvendit, Bahrim Shabani, deoputet i komunitetit boshnjak.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, gjithashtu pjesëtarë e komunitetit boshnjak, duke folur për gjenocidin në Srebrenicë, tha se është detyrë e gjithkujt të luftojë kundër urrejtjes e diskriminimit. 

“Është detyra jonë që gjithmonë të kundërshtojmë urrejtjen dhe diskriminimin, të flasim dhe të ngremë zërin kundër një akti të tillë”, theksoi ajo.

Në vitin 2021, Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar një rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnjë e Hercegovinë.

Të mërkurën, Qeveria e Kosovës e shpalli 11 Korrikun – Ditë Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë.

Më 11 korrik të vitit 1995, kur Srebrenica ishte shpallur zonë e sigurt e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, forcat serbe i kishin vrarë në mbi 8.300 boshnjakë.

Serbia dhe serbët e Bosnjës mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid, ndonëse kjo është vërtetuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

(r.m.)

Comment

*