Prishtinë, 6 tetor 2026 – Kuvendi i Kosovës e miratoi edhe në lexim të dytë Projektligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Dhomën e Prokurorit të Specializuar.
Projektligji i miratua me 88 vota “për”, pa asnjë votë “kundër” dhe asnjë abstenim.
Projektligji u procedua në seancën e jashtëzakonshme, pak para mesnate, pas marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës që menjëherë pas kësaj seance të zgjidhet edhe presidenti i ri i vendit.
Me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Dhomën e Prokurorit të Specializuar, ndër të tjera, parashihey:
- Ngushtimi i juridiksionit të Speciales, duke e lidhur atë me pretendimet specifike të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011;
- Ndryshimi i periudhës kohore të juridiksionit, në 1 korrik 1999 – 31 dhjetor 2000;
- Kufizimi i juridiksionit territorial në veprat e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës;
- Kufizimi i dënimit maksimal me burgim në 15 vjet;
- Transferimi tek institucionet e Kosovës i rasteve që, sipas juridiksionit të ri, nuk do të ishin më kompetencë e Dhomave të Specializuara;
- Mundësia e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me juridiksionin;
- Mundësia që të dënuarit t’i vuajnë dënimet në Kosovë;
- Mundësia e faljes presidenciale për personat e dënuar me vendim të formës së prerë.
Projektligji parasheh gjithashtu rishqyrtimin e juridiksionit të rasteve, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve.
(r.m.)