Kuvendi i Kosovës e miratoi Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Medieve, pavarësisht kundërshtimeve të forta

Prishtinë, 11 korrik 2024 – Parlamenti i Kosovës e miratoi të enjten Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Medieve (KPM), i cili u kundështua ashpër nga opozita, nga komuniteti i gazetarëve dhe nga shoqëria civile në Kosovë.

Ky projektligj u miratua me shumicë të cilësuar, vetëm nga deputetët e partive në pushtet, sepse deputetët e opozitës (LDK-së, PDK-së dhe AAK-së) e bojkotuan votimin, në shenjë proteste për atë që cilësohet si përpjekje e pushtetit për të vënë nën kontroll mediet.

Projektligji i sapomiratuar, mes tjerash, parasheh licencimin e medieve online që prodhojnë video dhe monitorimin e tyre nga KPM-ja.

Mediet që funksionojnë si organizata joqeveritare duhet të regjistrohen si kompani që t’i plotësojnë kushtet për licencim nga KPM-ja.

Mediet duhet të marrin leje nga KPM-ja në rast të ndryshimit të pronësisë së mbi 10 për qind të aksioneve të tyre.

Ky projektligj parasheh edhe gjoba të rënda për mediet. Ato do të gjobiten deri në 40.000 euro për shkeljet eventuale, siç janë: mosrespektimi i ligjit, mosdorëzimi i raportit vjetor tek KPM-ja brenda afatit, mosruajtja e arkivit të transmetimeve, mosrespektimi i kohës së përcaktuar për transmetim dhe për disa raste të tjera.

Projektligji që u miratua të enjten parasheh edhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së nga 7, sa ishte deri më tash, në 11, si edhe zgjatjen e mandatit të tyre.

Projektligji për KPM-në hyn në fuqi pasi të nënshkruhet nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Sipas dispozitave ligjore në fuqi, Presidentja ka të drejtë të kthejë ligjet për rishqyrtim në Kuvend, në rast se në to gjen dispozita që nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. 

(r.m.)