Prishtnë, 5 tetor 2026 – Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të parë Projektligjin për ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Projektligji u miratua me procedurë të përshpejtuar, me 91 vota “për”, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Grupoi parlamerntar i Lidhjes Demiokratike të Kosovës (LDK) nuk mori pjesë në votim.
Projektligji duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u miratuar përfundimisht.

Para hedhjes në votim, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, në cilësinë e propozuesit të projektligjit, tha se themelimi i Dhomave të Specializuara ishte i lidhur në thelb me pretendimet për trafikim organesh dhe se proceset gjyqësore të zhvilluara deri më tash në këtë gjykatë nuk kanë treguar se nuk ka pasur trafikim organesh. Ai tha se në këto procese është dëshmuar se kanë rënë poshtë akuzat për krime kundër njerëzimit.
Gruda tha se kualifikimi i udhëheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” nga shkalla e parë e Gjykatës Speciale në rastin e ish-krerëve të UÇK-së e njollos luftën e pastërt e të drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës.
“Nuk mund të lejojmë të komprometohet historia e Kosovës dhe lufta jonë çlirimtare”, theksoi ai.
Sipas Grudës, ndryshimet e propozuara në projektligj janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me detyrimet ndërkombëtare që ka marrë Kosova.
“Nuk do të përfundojë [te Kushtetuesja në Hagë]. Ky ligj mund të shkojë vetëm në Gjykatën Kushtetuese në Kosovë”, tha ai.
Ai tha se Dhoma Kushtetuese në Hagë merret vetëm me vendimet e Gjykatës Speciale, ndërsa ndryshimet e ligjeve që merren nga Kuvendi I Kosovës mund të vlerësohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Gruda tha se ndryshimet e propozuara nuk ia heqin Gjykatës Speciales të drejtën për të vazhduar punën, por synojnë t’ia kufizojnë një pjesë të juridiksionit, përfshirë atë që lidhet me krimet e luftës.
“Me këtë ligj zotohemi se nuk i ikim drejtësisë”, shtoi ai.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, bëri të ditur se depyutetët e kësaj partie do t’a mbështesin nismën për ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Nagavci theksoi se përkrahja e ndryshimeve në këtë ligj nuk nënkupton se Lëvizja Vetëvendosje ka ndryshuar qëndrimin për Gjykatën Speciale, dormimin e të cilës e kishte kundërshtuar.
“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar për këtë Gjykatë Speciale. Kemi menduar atëherë dhe mendojmë edhe sot se çdo dyshim për vepra penale të kryera nga individë duhej të hetohej dhe gjykohej brenda sistemit të rregullt të drejtësisë së Republikës së Kosovës. Drejtësia ishte e domosdoshme, ndërsa një sistem i veçantë drejtësie për Kosovën, ku do të gjykohej lufta, sipas nesh, nuk ishte”, tha ajo.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë një çështje që i tejkalon përmasat e një partie dhe mandatin e një qeverie.
“Është një çështje që ka të bëjë me historinë, të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë”, tha Hamza.
Sipas Hamzës, Dhomat e Specializuara, në proceset e deritashme, e kanë tejkaluar mandatin që buron nga Ligji që ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015. Ai e kundërshtoi veçanërisht formulimin “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, duke thënë se lufta e UÇK-së “ka qenë e drejtë, e pastër, luftë e popullit të Kosovës”.
Hamza ka thënë se me ndryshimet e përfshira në projektligj parashihet mbikëqyrja e punës së Dhomave të Specializuara.
“Ne nuk po kërkojmë të mos ketë drejtësi apo të mos gjykohet krimi. Nuk po e mbyllim gjykatën. Po kërkojmë mbikëqyrje. Po kërkojmë zbatim të ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës”, tha Hamza.

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tregoi se grupi parlamentar i kësaj partie nuk do ta përkrahë nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ajo tha se një votim në Kuvend nuk mund të zhbëjë një aktgjykim dhe se ndryshimi i ligjit nuk mund të bëhet duke i anashkaluar detyrimet ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Dhomat e Specializuara mbështeten në një kornizë kushtetuese dhe në detyrime ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk i shfuqizon ato detyrime dhe nuk mund ta anashkalojë Kushtetutën e Kosovës. Prandaj, vetë miratimi i ndryshimeve në këtë Kuvend nuk garanton zbatimin e tyre, as rezultatin që u premtohet qytetarëve sot. Për më tepër, ndryshimet e miratuara nuk mund t’i nënshtrohen kontrollit kushtetues”, tha ajo.
“Një çështje që lidhet me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe me marrëdhëniet me aleatët tanë kërkon konsultim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë. Veprimet e njëanshme pa këtë koordinim dhe pa vlerësim të qartë të pasojave juridike rrezikojnë ta dobësojnë besueshmërinë e Kosovës dhe mbështetjen ndërkombëtare që i nevojitet vendit tonë”, shtoi Lushaku-Sadriu.
“Kjo nismë mund të mos prodhojë efekt juridik”, theksoi ajo, duke paralajmëruar se pasojat mund t’i mbeten shtetit të Kosovës.
Lushaku theksoi gjithashtu se “rruga për ndryshimin e një aktgjykimi të Dhomave të Specializuara është ajo gjyqësore, përmes procesit të apelit”.

Ramush Haradinaj, deputety i Aleancës, tha deputetët e kësaj partue do ta votojë projektligjin. Ai tha se miratimi i këtij projektligji është përgjigjje e drejtë ndaj vendimit dënues për ish-krerët e UÇK-së.
“Ne jemi ofenduar me një vendim dënues për udhëheqësit e UÇK-së. Është ofendim për popullin e Kosovës, për gjakun tonë, për këtë parlament, edhe për drejtësinë”, tha ajo.
“Kjo [miratimi i projektligjit] do të ishte përgjigjja e drejtë për fyerjen që na është bërë me vendim dënues për udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje do të votojë për miratimin e këtij projektligji, pavarësisht se nuk është e bindur se kjo nuk do të ketë ndonjë efekt juridik
“Sot po ju mbështesim edhe me votën në lexim të parë. Pra, sa herë që bëhet fjalë për çështje që prekin interesin e përbashkët të vendit, ne jo vetëm që kemi pasur të drejtë, por edhe kemi treguar se dimë të veprojmë përtej dallimeve politike. Ne nuk jemi të bindur për dobinë e këtij ligji. E dimë që ju besoni në të dhe ne duam t’i besojmë besimit tuaj. Po ashtu, na keni thënë që këtë projektligj e mbështesin edhe ekipet mbrojtëse, andaj po jua mbështesim ne”, tha ai.
Kurti tha se çështja e ndryshimeve ligjore për Dhomat e Specializuara duhet të trajtohet me kujdes.
“Ka qenë një kohë shumë e shkurtër për ta analizuar si duhet ligjin, aq më tepër kur ende nuk e kemi aktgjykimin në formën e tij të plotë. Ne e konsiderojmë se këto lëvizje për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar e menduar sa duhet”, tha Kurti.
“Unë, po të isha në vendin tuaj, nuk do të ngutesha. Do ta bëja një analizë të plotë, do ta shqyrtoja gjykimin në formën e tij të plotë dhe pastaj do të vepronim bashkë. Ne po ju themi se kjo çështje kërkon më shumë kohë dhe më shumë analizë. Ju po u thoni qytetarëve se e keni zgjidhjen. Ne nuk jemi të bindur se është kështu, por përsëri nuk do të veprojmë. Duhet ta keni parasysh jo vetëm shkakun që ju shtyn të votoni sot, por edhe pasojat që mund t’i prodhojë ky votim nesër. Nuk mjafton vetëm të reagojmë ndaj një padrejtësie, por duhet të sigurohemi që, duke tentuar ta korrigjojmë një gabim, të mos e prodhojmë një tjetër. Adresa e fitores është apeli”, tha ai.
Kurti bëri thirrje për formësimin e një strategjie të përbashkët institucionale për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Apel dhe për zgjedhjen e president it të vendit brenda afatit kushtetues.
“Duhet ta kemi të qartë se, për të pasur një strategji të qëndrueshme, duhet ta kemi edhe një shtet të qëndrueshëm. Duhet ligj për gjykatën në Hagë, por duhet edhe president për Kosovën. Njëra pa tjetrën mund të jetë shumë e dëmshme”, theksoi ai.

Pas miratimit në lexim të parë të projektligjit për ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara, Kuvendi vazhdoi punimet me pika të tjera të rendit të ditës.
Ende nuk është bërë e ditur nëse projektligji do të rikthehet sot në seancë për lexim të dytë dhe për votim përfundimtar. Para se të kalojë në lexim të dytë, projektligji duhet të shqyrtohet nen për nen në komisionin përgjegjës, ku mund të propozohen edhe amendamente.
(r.m.)