Prishtinë, 13 shkurt 2026 – Kuvendi i Kosovës i ratifikoi të premten marrëveshjet me Bashkimin Evropian dhe me Bankën Botërore, në vlerë të rreth 1 miliard eurove.
Miratimi i këtyre marrëveshjeve u bë me procedurë të shpejtë, për shkak të rëndësisë së këtyre marrwveshjeve për interesin publik,
Marrëveshja mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian mundëson që Kosova të përfitojë 882 milionë euro nga Pakoja e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027. Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosovës do t’i jepen 253 milionë si grant dhe 629 milionë euro në formë të kredisë.
Kuvendi i Kosovës i ratifikoi edhe tri marrëveshjet me Bankën Botërore, afati i fundit për miratimin e të cilave do të skadonte pikërisht sot, më 13 shkurt. Këto rri marrëveshje, në vlerë prej 90.3 milionë eurosh, përfshijnë programet për financimin e politikave zhvillimore, për rtritjen e efektivitetit fiscal, për rritjen e konkurrueshmërisë, për rritjen e gjelbër, për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë, të sistemit të edukimit në fëmijërinë e hershme dhe për kujdesin për kapitalin njerëzor të Kosovës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se marrëveshjet me Bankën Botërore janë ndër më të favorshmet, pasi ato kanë normë interesi 0 për qind.
Për këto marrëveshje dhe për rrezikun e humbjes së këtyre fondeve është folur gjatë gjithë vitit të kaluar, kur Kosova ishte në bllokadë institucionele, për shkak të mungesës së konsensusit politik për krijimin dhe funksionalizimin e institucioneve të reja.
(r.m.)