Prishtinë, 6 tetor 2026 – Legjislatura e 11-të e Kuvendit të Kosovës gjendet në orët vendimtare. Deri sonte në mesnatë duhet të zgjedhë presidentin e ri të vendit ose të shpërbëhet dhe Kosova të shkojë në zgjedhje të tjera të parakohshme.
Por, zgjedhja e presidentit duket e pamundur brenda afatit kushtetues dhe zgjedhjet e reja janë të pashmangshme, përveç nëse partitë parlamentare bëjnë një kthesë të jashtëzakonshme në orët e fundit.
Një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit duket e pamundur në situatën e krijuar dy ditët e fundit dhe kushtëzimet e dy partive më të mëdha parlamentare, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Dy ditët e fundit ato janë përplasur ashpërsisht rreth rendit të ditës së seancës vendimtare të Kuvendit. PDK-ja kërkon me këmbëngulje që Kuvendi ta miratojë së pari ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale e pastaj të votohet për zgjedhjen e president it të ri të vendit. Ndërkaq, LVV-ja insiston që së pari të zgjidhjet presidenti dhe të shmangen zgjedhjet e parakohshme e pastaj të votohen ndryshimet në Ligjin për Specialen.
Deri në orën 20:00, pra katër orë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e president it, asnjëra prej këtyre partive nuk ka dhënë sinjale se do të lëshojë pe, për shkak të mungesës totale të besimit te njëra-tjetra.
Në orën 20, Kurti i bëri një “ofertë” të re PDK-së. Ai kërkoi nga PDK-ja “garanci” se do ta votojë ndonjërin nga dy kandidatët e LVV-së për president të vendit, Glauk Konjufcës dhe Feride Rushitit. Nga ana e tij, ai ofroi “garanci” se LVV-ja, e cila mund ta krijojë shumicën bashkë me partnerët në qeverisje, do ta miratojë në lexim të dytë Projektligjin për Ndryshime në Ligjin për Gjykatën Speciale.
Por, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se kjo parti e vlerëson të papranueshme edhe “ofertën” e fundit të Kurtit. Ai bëri të ditur se PDK-ja kundërshton çfarëdo marrwveshjeje që do t’ia mundësonte LVV-së të marrë nën kontroll të gjitha institucionet më të larta të shtetit: Presodentin, Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin.
Sipas Hamzës, Kurti po e përdor ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale për të arritur qëllimin e tij politik kapjen e të gjitha institucioneve të shtetit.
Hamza theksoi se PDK-ja e cilëson të papranueshëm përfshirjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në “pazare” politike, qoftë edhe nëse vendi duhet të shkojë në zgjedhje të tjera të parakohshme.
(r.m.)