Kuvendi i Kosovës: Shumica nuk i voton dy rezoluta të propozuara nga opozita

Prishtinë, 9 nëntor 2023 – Kuvendi i Kosovës nuk i ka miratuar të enjten projekt-rezolutën për mbështetjen urgjente financiare për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe projekt-rezolutën për nevojën e rritjes së koeficientit për pagat, të cilat janë propozuar nga opozita.

Për miratimin e Projekt-rezolutës për policët, e cila është prezantuar në Kuvend javë më parë, kanë votuar 25 deputetë, ndërsa 59 kanë abstenuar.

Ndërkaq për miratimin eprojekt-rezolutës për ngritjen e koeficientit të pagave të sektoritpublik në 129 euro, e cila është prezantuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë votuar 28 deputetë, 52 kanë votuar kundër dhe 4 kanë abstenuar.

Rritja e pagave për pjesëtarët e Policisë së Kosovës është aktualizuar javët e fundit, pas sulmit terrorist të grupit të armatosur serb në Banjskë të komunës së Zveçanit. Qeveria e Kosovës ka prezantuar shtesa të pagave të policëve për rrezikshmëri. Ajo ka bërë edhe kategorizimin e shtesave sipas pozitave të zyrtarëve të policisë. Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës duke kërkuar rishikimin e vendimit të qeverisë për shtesat. Pjesëtarët e këtyre  njësive kanë kërkuar kategorizim sipas njësive dhe përfshirje në listën e ekspertëve. Po ashtu, kanë kërkuar që shtesa e rrezikshmërisë të jetë sagjysma e pagës bazë dhe shtesa tjetër për kushte specifike të punës.

Pagat e policëve të Kosovës nisin nga 210 euro në muaj (për kadetët policorë) deri në mbi 1.500 euro në muaj (për drejtorin e përgjithshëm). Pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk kanë as sigurim shëndetësor dhe as sigurim jetësor.

(r.m.)