Kuvendi i LDK-së do të mbahet më 31 janar, Abdixhiku do të kërkojë votëbesimin e Kuvendit

Prishtinë, 19 janar 2026 – Kuvendi i Jashtëzakonshëm i  Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të thirret mbahet më 31 janar.

Ky vendim është marrë të hënën, në mbledhjen e Kryesisë së partisë, ku është diskutuar për rezultatin e dobët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Sipas zëdhënësit të LDK-së, Besian Mustafa, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të partisë, do të vendoset edhe lidhur me dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

“Pati një diskutim gati 4 orësh të hapur e demokratik duke shtjerrë debatin në secilën pikë të mundshme, duke analizuar edhe rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Më 31 janar është ftuar mbledhja e Kuvendit të LDK-së. Në këtë Kuvend, siç është deklaruar vetë, kryetari Lumir Abdixhiku do të ofrojë dorëheqje për ta lënë të lirë Kuvendin që të vendosë edhe për këtë çështje si edhe për çështjet tjera që mund të ngriten në atë kuvend”, ka thënë Mustafa pas mbledhje së kryesisë së LDK-së.

Mustafa ka thënë se votëbesimin e Kuvendit të partisë e ka kërkuar vetë  Abdixhiku.

“Kjo është formë që e kërkon vetë kryetari i partisë Lumir Abdixhiku. Në këtë Kuvend do të kërkojë votë të votëbesimit. Pra, Kuvendi i cili i ka 355 delegatë, do të vendosë për këtë kërkesë nëse do të kenë akoma besim në kryetarin Lumir Abdixhiku. Pra, është kërkesë për votëbesim”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë se, sipas statutit të partisë, kryetari ka të drejtë ta mbledhë Kuvendin dhe të kërkojë votëbesimin e tij.

LDK-ja doli e treta në këto zgjedhje me vetëm 13.23 për qind të votave. Ajo do t’i ketë 15 ulëse në përbërjen e re të Kuvenditt ë Kosovës, 7 më pak se në përbërjen e kaluar.

Menjëherë pas numërimit të votave, më 28 dhjetor, Lumir Abdixhiku kishte deklaruar se ai e merr pëtrgjegjësinë për rezultatin e dobët të partisë në këto zgjedhje dhe kishte paralajmëruar dorëheqje nga pozita e kryetarit. Por, në një takim joformal të udhëheqjes më të ngushtë të partisë, la të kuptohet se ai nuk do të japë dorëheqje të parevokueshme. Ai deklartoi se dorëheqjen do t’ia ofrojë Kuvendit të partisë, i cili do të vendosë ta pranojë ose jo.

Ky qëndrim i Abdixhikut nxiti reagimet e një pjese të kryesisë së partisë, e cila e konsideron si përpjekje të tij për t’iu shmangur përgjegjësisë për udhëheqjen e dobët të partisë. Më të zëshmit kundër votimit në Kuvend për dorëheqjen e Abdixhikut nga pozita e kryetarit ishin Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti. Të dy kanë thënë se dorëheqja nuk është çështje statutare, por akt moral për rezultatet e dobëta në zgjedhje.

Si Bajrami dhe Hoti, ashtu edhe disa anëtarë të tjerë të kryesisë së LDK-së, mendojnë se Abdixhiku përpiqet ta instrumentalizojë Kuvendin për të mbetur kryetar i partisë.

Shumë anëtarë e simpatizantë të LDK-së mendojnë se LDK-ja ka nevojë jo thjesht për ndryshime në strukturat drejtuese të partisë, por për ndryshime të thella të procesit të brendshëm zgjedhor që do të mundësonin hapjen e partisë për njerëz që përfaqësojnë pikëpamjet dhe vlerat e LDK-së.

(r.m.)