Në Tiranë u mbajt seanca hapëse e Kuvendit të ri. Në 25 prill Partia Socialiste fitoi 74 deputetë për mandatin e tretë radhazi që nga 2013
Knid Ndrenika
Angazhimi për opozitë të fortë i deputetit Sali Berisha i parapriu seancës konstituive të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.
I përjashtuar nga grupi i deputetëve demokratë zoti Berisha tha se do të luftojë për prishjen e pazareve të kryetarit demokrat Lulzim Basha dhe kryeministrit socialist Edi Rama.
Zoti Berisha u prit me brohoritje nga mbështetësit e tij ndërkohe që kryetarit Basha iu drejtuan me thirrjet “turp” për përjashtimin nga grupi të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit.
Deputeti Berisha foli për mediat përpara dhe pasi doli nga salla ku u ul në karriget e fundit si i zgjedhur i pavarur:
“Do marr çdo nismë ligjore dhe statutore brenda PD për rikthimin e saj në piedestalin që meriton. Jashtë çdo lloj diskutimi, Jam anëtar i grupit parlamentar të PD. Vendimi, kompromisi Basha-Rama është nul, nuk ka asnjë mbështetje ligjore përveç fëlliqësisë morale të pazareve prapa shpine ndaj një force politike që qëndron fuqishëm në pozicionin e saj si opozitë. Në çdo kohë mund të hyj në seli dhe të jeni të sigurt se do të jetë shumë e afërt dita kur PD të rifitojë të gjithë forcën, vendosmërinë, legjitimitetin për të shporrur një klikë sunduese të bazuar mbi krimin, drogën, dhunimin e votës së qytetarëve shqiptarë dhe pazaret e fëlliqura me ata të cilët e shndërrojnë PD në fasadë opozitë”.
Ndërsa kryeminstri Edi Rama kërkoi përqendrim në problemet reale që ka vendi.
“Ne jemi lart dhe nuk mund të ndalojmë për të kthyer kokën mbrapa. Trishtimet dhe gëzimet janë evenimente shumë të rëndësishme për t’i shpërdoruar për çështje politike aq më tepër për një kamp tjetër. Më shfrytëzoni për të më pyetur për gjëra që kanë të bëjnë për të mirën e vendit. E shkuara nuk është problem i Partisë Socialiste. Ne jemi e ardhmja”-tha zoti Rama.
Kryetari demokrat Basha theksoi se “shqiptarët, demokracia shqiptare, e ardhmja e familjeve shqiptare ka vetëm një armik, Edi Ramën dhe regjimin e tij të dalë nga zgjedhjet e paligjshme”.
Sesionin e ri e hapi deputetja më e vjetër, Luljeta Boz 79 vjeçe nga Partia Socialiste:
“Ne kemi martë një përgjegjësi të madhe për ata që na kanë besuar një mision historik. Jemi këtu falë votës së popullit shqiptar. Ky proces do të krijojë kushte për nisma ligjvënëse duke debtuar për pjekuri. Besoj se sfifat e mëdha nga kuvendi i kaluar duhet t’i çojmë më tej”.
Në 25 prill Partia Socialiste fitoi 74 deputetë për mandatin e tretë radhazi që nga 2013.
Partia Demokratike opozitare e kryetarit Lulzim Basha me “Aleancën për Ndryshim” 59, Partia Socialdemokrate e kryetarit Tom Doshi të dorëhequr 3, Lëvizja Socialiste për Integrim me kryetare Monika Kryemadhin 4 deputetë.