Kuvendi i Shqipërisë e miraton projektligjin për aderimin e vendit në Bordin e Paqes

Tiranë, 22 janar 2026 – Kuvendi i Shqipërisë e ka miratuar projektligjin për aderimin e Shqipërisë si anëtare themeluese në Bordin e Paqes, të themeluar nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

 Shumica e deputetëve votuan pro aderimit, përfshirë opozitën, e cila e ka mbështetur idenë e Trumpit, ndonëse e ka kritikuar qeverinë e vendit dhe kryeministrin Edi Rama.

Projektligji është miratuar me 110 vota “pro” dhe asnjë vote “kundër”.

Para votimit të projektligjit, mazhoranca i ka hedhur poshtë dy amendamente të propozuara nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Kundër amendamenteve vkanë votuar 79 deputetë të mazhorancës.

Në amendamentet e propozuara nga Bardhi kërkohej që nga marrëveshja për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes të hiqej emri i kryeministrit Edi Rama dhe të vendosej emri i Presidentit të Republikës.

Bardhi, në kërkesën drejtuar Komisionit për Punët e Jashtme dhe Kuvendit, ka theksuar se ndryshimet e propozuara nga PDj-ja synojnë garantimin e kushtetutshmërisë së projektligjit, duke argumentuar se Shqipëria duhet të përfaqësohet në marrëveshjet ndërkombëtare nga institucione dhe jo nga individë të përmendur me emër.

Bardhi ka shpjeguar se PD-ja ka propozuar edhe riformulimin e titullit dhe të nenit 1 të projektligjit, si dhe shtimin e një neni të ri, ku parashikohet që Shqipëria të përfaqësohet në Bordin e Paqes nga Presidenti i Republikës ose, me autorizimin e tij, nga Kryeministri, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

 

 

PROPOZIMET E BARDHIT:

 

REPUBLIKA E SHQIPERISE

KUVENDI

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike

 

Nr. 295/3 Prot.

Tiranë, më 22/01/2026

Drejtuar:         Komisionit përgjegjës për punët e jashtme

Drejtuar:         Kuvendit të Shqipërisë

Baza Ligjore:   Neni 71 i Rregullores së Kuvendit

Neni 75 i Rregullores së Kuvendit

Objekti:           Amendament në projektligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”

 

Të nderuar anëtarë të Komisionit,

Të nderuar deputetë,

Me qëllim garantimin e kushtetutshmërisë në projektligjit “Për ratifikimin e Marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, vlerësojmë se është e domosdoshme disa ndryhime në përmbajtjen e tij, në përputhje me nenin 121 të Kushtetutës dhe ligjin nr. 43/2016.

Republika e Shqipërisë në organizata ndërkombëtare përfaqësohet nga institucione, dhe jo nga individë. Për këtë qëllim, referimi duhet të bëhet tek instituconi dhe jo tek individët. Është e paprecedent në historinë e Shqipërisë dhe të të drejtës

ndërkombëtare, aderimi apo pranimi i një marrëveshje ndërkombëtare nuk ndodh kurrë që të bëhet me emra konkret.

Për të gjitha argumentet si më sipër, në mbështetje të nenit 71 dhe 75 të Rregullores, propozoj, amendamentet si më poshtë:

Amendament 1:

Titulli të riformulohet: “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, në Kartën e Bordit të Pages”.

Amendament 2:

Neni 1 ndryshohet si vijon: “Ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, në Kartën e Bordit të Paqes, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e

Amendament 3:

Pas nenit 1, shtohet neni 2, me këtë përmbajtje: “Në përputhje me nenin 2.2, shkronja “a” e Kartës së Bordit të Paqes, Republika e Shqipërisë do të përfaqësohet në Bordin e Paqes nga Presidenti i Republikës ose me autorizim të tij nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë.”.

Sa më sipër, në përputhje me nenin 71 dhe 75 të Rregullores së Kuvendit, propozoj shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimeve sa më sipër.

DEPUTETI:

GAZMENT BARDHI

 

(r.m.)