Kuvendi i Shqipërisë hap rrugë për arrestimin e ish zëvendëskryeministrit Ahmetaj

Tiranë, 14 korrik 2023 – Kuvendi i Shqipërisë ka hapur rrugën për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Gjatë seancës plenare, 117 deputetë mbështetën kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit (SPAK) për arrestimin e Ahmetajt dhe lejimit të kontrollimit të banesës së tij. Nga 120 deputetë të pranishëm në kohën e votimit, tre deputetë abstenuan.

SPAK e akuzon Ahmetajn për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.

Në seancën plenare u lexuan raportet që janë përgatitur nga përfaqësuesit e opozitës dhe ata në pushtet për rastin e Ahmetajt.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në opozitë, Gazmend Bardh, i bëri thirrje Ahmetajt që të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.

“Nëse bëhet secili ministër që është në burg duhet t’i lirojë vendin kreut të Qeverisë. Ideatori nuk është as Damian Gjiknuri as Lefter Koka, por [kryeministri i Shqipërisë] Edi Rama”, tha Bardhi.

Ditë më parë, Arben Ahmetaj është larguar nga Shqipëria.

“Personi që siguroi daljen e tij jashtë Shqipërisë është Rama. Rama të dorëzojë para drejtësisë Ahmetajn, ia nuk mund të arratiset me paratë e qytetarëve shqiptarë. Secili prej nesh kolegë do duhet të ketë një qëllim, Edi Rama të dorëzojë para drejtësisë Arben Ahmetaj”, tha Bardhi, pa dhënë dëshmi se kryeministri shqiptar është i përfshirë në largimin e Ahmetajt nga Shqipëria.

Arben Pëllumbi nga Partia Socialiste në pushtet iu përgjigj akuzave të Bardhit.

“Nuk jemi as gjykatë, as prokurorë për të dhënë vendime. Kemi para një raport të paraqitur nga organi i akuzës, i cili duhet të ndeshet në gjykatë me personin nën hetim dhe gjykata është i vetmi organ që duhet të japë vendimin final. Deri në atë stad, ne duhet t’i njohim prezumimin e pafajësisë. Ne nuk jemi këtu për të dhënë vendime politike. [Bardhi] Përmendi plot emra, përmendi shumë herë kryeministrin e vendit, që në raportin e SPAK-ut nuk ekziston gjëkundi”, tha Pëllumbi.

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në seancën e së premtes, por nuk bëri asnjë deklaratë në Kuvend.

Ish-zëvendëskryeministri Ahmetaj reagoi përmes llogarisë së tij në Facebook në kohën kur zhvillohej seanca lidhur me kërkesën e SPAK-ut.

“Luigjit të 16-të iu dhanë katër ditë kohë para se t’i pritej koka, mua as 24 orë. Dikush më tha ‘të duan në burg’”, shkroi ai në Facebook.

Deri më tani nuk dihej vendndodhja e Ahmetajt. Por, avokati i tij Henrik Ligori njoftoi se ai ndodhet në Angli, pranë vajzës së tij.

I pyetur se kur do të kthehet, ai u përgjigj: “Do të kthehet kur të ketë liri”.

Arben Ahmetaj ka mbajtur disa poste të rëndësishme gjatë dhjetë vjetëve të qeverisjes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ai ka qenë drejtues i Drejtorisë së Tatimeve, ministër i Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, ministër i Financave, zëvendëskryeministër dhe ministër i Rindërtimit.

(Jetmira Delia – Kaci, REL)