Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën për sulmin terrorist në pjesën veriore të Kosovës

Tiranë, 12 tetor 2023 – Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten një rezolutë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës.

Rezoluta, e cila u miratua me 101 vota “pro” dhe 1 abstenim, mbështet Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, me të cilën dënohet ashpër sulmi terrorist në Banjskë dhe mbështet të gjitha masat dhe veprimet e institucioneve të Kosovës për mbrojtjen e integritetit territorial dhe të sovranitetit të Kosovës.

Rezoluta kërkon që institucionet kushtetuese të Shqipërisë të japin gjithë mbështetjen e mundshme për një hetim të plotë ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist të 24 shtatorit.

Ndërkaq, Qeverinë e Kosovës e inkurajon të punojë bashkë me aleatët strategjikë të saj për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila duhet të përfshijë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia.

Teksti i rezolutës:

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

  • Mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023;
  • Kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës;
  • Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.

Kryetare,

Lindita NIKOLLA

(r.m.)