Prishtinë, 27 prill 2026 – Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se seanca jashtëzakonshme plenare, për siç është thënë, diskutim për zgjedhjen e presidentit do të mbahet sot në orën 17:00.
“Rendi i ditës: 1. Diskutim lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Seancën e paralajmëroi më herët edhe kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu.
“Besoj se do të ketë seancë për presidentin…. natyrisht që sot”, është shprehur shkurt Haxhiu në një deklarim për media para seancës së rregullt plenare.
Ndërkohë që në seancën e cila është duke u mbajtur deputetja e AAK-së Time Kadrijaj ka thënë se në Kuvend nuk diskutohet për zgjedhjen e presidentit, por se sillen emra dhe votohen. “Si është e mundur të thirret një seancë në orën 17 dhe pikë e rendit të ditës është të diskutohet për presidentin. Në parlament nuk diskutohet për presidentit por sillen emrat dhe votohen”, është shprehur Kadijaj.
Nesër përfundon afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërkohë që partitë politike nuk kanë gjetur konsensus rreth një emri që do të siguronte pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit për president.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u ka bërë ofertë dy subjekteve kryesore në opozitë, Partisë Demokratike (PDK) dhe Lidhjes Demokratike (LDK) që t’i ofrojnë tri propozime për president dhe ka dhënë zotimin për t’i ofruar nënshkrimet për t’i formalizuar kandidaturat e edhe për të votuar njërin nga kandidatët. Ofertën e ka publikuar të shtunën, tri ditë përpara se të skadojë afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
PDK-ja e ka refuzuar ofertën. E LDK-ja ka kushtëzuar ofrimin e kandidatit, duke përmendur si emër të përveçëm Vjosa Osmanin, e cila përmbylli këtë muaj mandatin pesëvjeçar të presidentes.