Lajçak arrin në Prishtinë, për përgatjen e takimit të radhës të Kurtit e Vuçiqit

Prishtinë, 9 mars 2023 – I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, arrin sot në Kosovë, për të vazhduar punën në hartimin e udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë sipas propozimit të Bashkimit Evropian.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Lajçak do të takohet me krerët e institucioneve shtetërore të Kosovës. Fillimisht ai do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani e pastaj me kryeministrin Albin Kurti.

Të mërkurën Kurti deklaroi se pret që plani i zbatimit të marrëveshjes të jetë gjithëpërfshirës dhe efikas.

“Do të shohim se si do të mund t’ia bashkëngjisim propozimit të dakorduar evropian edhe një plan të mirëfilltë zbatimi që duhet të karakterizohet nga gjithpërfshirja dhe nga efikasiteti”, tha ai.

Lajçak do të udhëtojë nga Prishtina në Beograd, për të diskutuar me palën serbe për detajet e planit për zbatimin e marrëveshjes.

Vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd vjen pas takimit të 27 shkurtit, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranuan planin evropian për normalizimin e raporteve. Bartësit e dialogut po ashtu u shprehën të gatshëm të punojnë në planin për zbatimin e këtij propozimi.

Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut, pret që udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë të nënshkruhet në takimin e ardhshëm të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

(r.m.)