Lajçak bisedon me Vuçiqin “për vazhdimin e dialogut dhe për zbatimin e marrëveshjeve”

Beograd, 30 gusht 2023 – Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, njoftoi se sot ka pasur “një bisedë përmbajtjesore” me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një postim në Twitter, ai ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar “për vazhdimin e dialogut të Brukselit dhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në atë process”.

“Sot në Beograd pata një bisedë përmbajtjesore me presidentin Vuçiq për takimin e radhës të nivelit të lartë në shtator, për përpjekjet për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, si dhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogu”, ka shkruar Lajçak.

Më heret, Vuçiq ka thënë se Lajçakut ia ka shprehur “shqetësimin” për, siç ka thënë, “planin e Kurtit për ta pushtuar me dhunë” pjesën veriore të Kosovës, të  cilën ai e ka quajtur “krahinë”.

“Jam shumë i shqetësuar për zhvillimet në Kosovë dhe për planin e Kurtit për të pushtuar me dhunë veriun e krahinës dhe për t’i dëbuar serbët nga vatrat e tyre shekullore. Ia kam përcjellë këtë përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak”, ka shkruar Vuçiq.

Lajçak ka shkuar në Beograd për përgatitjen e një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.

Të hënën, Lajçak është takuar me Kurtin në margjinat e Forumit Strategjik të Bled të Sllovenisë.

“Çështja kryesore e takimit ishin përgatitjet e takimit të ri të nivelit të lartë në dialogu në shtator, me fokus në normalizimin e raporteve dhe zbatimin e marrëveshjes së 3 qershorit”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

(r.m.)