Lajçak do të qëndrojë këtë javë në Kosovë dhe në Serbi

Bruksel, 10 maj 2023 – Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, do të shkojë në Prishtinë, më 11 maj, dhe në Beograd, më 12 maj, në kuadër të përgatitjeve për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së Lajçak, udhëton rregullisht në rajon dhe viziton shpesh Prishtinën dhe Beogradin, posaçërisht pas takimeve të nivelit të lartë në Bruksel, për të vazhduar përparimin në atë që është arritur apo për çfarë është pajtuar në Bruksel dhe për të përgatitur hapat e radhës”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

“Në këtë kontekst, mund të konfirmoj se ai do të jetë të enjten në Prishtinë dhe të premten në Beograd”, shtoi ai.

Në takimet në Prishtinë dhe Beograd, Lajçak pritet të takohet me kryenegociatorët e dy shteteve, me Besnik Bislimin në Prishtinë dhe me Petar Petkoviqin në Beograd.

Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe, një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare.

Kryeministrit Kurti e ka refuzuar kategorikisht draftin e hartuar nga ekipi menxhues, të cilin e ka cilësuar si shprehje të synimit të Beogradit për “një Republikë Sërpska brenda Kosovës” dhe ua ka dorëzuar ndërmjetësve të dialogut draftin e vizionit të tij për vetëmenagjim të komunitetit serb në Kosovë, që mbron të drejtat e serbëve në Kosovë pa e cenuar sovranitetin dhe rendin kushtetues e juridik të shtetit të Kosovës.

Drafti i hartuar nga Ekipit Menaxhues është kundërshtuar ashpër edhe nga opozita në Kosovë, e cila ka thënë se, sipaskëtij drafti, Asociacioni do të ishte “shtet brenda  shtetit”.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar me Marrëveshjen Bazë për normalizim të marrëdhënieve midis tyre, të propozuar nga Bashkimi Evropian. Marrëveshja, ndër të tjera, parasheh edhe formimin e Asociacionit që bazohet në modelet dhe praktikat evropiane të trajtimit të minoriteteve.

Më 2013 dhe 2015, Kosova dhe Servia kishin nënshkruar një marrëveshje për Asociacionin, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se disa elemente të marrëveshjes nuk ishin në harmoni Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandoi që ato të evitohen me rastin e hartimit të Statutit të Asociacionit.

Por, Serbia këmbëngul për formimin e një asociacioni me kompetenca të gjera dhe me fuqi ekzekutive.

Dialogu mes Kosovës e Serbisë ka qëllim normalizimin e plotë të raporteve midis dy vendeve. Kosova kërkon që procesi të përmbyllet me marrëveshje juridikisht të obligueshme që përfshin edhe njohjen e ndërsjellë, ndërsa Serbia kërkon “një zgjidhje kompromisi”, por e përjashton kategorikisht mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

(r.m.)