Lajçak i informoi anëtarët e Këshillit të Evropës për dinamikën e dialogut

Strasburg, 11 qershor 2024 – Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar se në Strasburg të Francës i ka informuar anëtarët e Këshillit të Evropës dhe shtetet anëtare të BE-së për situatën aktuale dhe dinamikën e dialogut.

“Në Strasburg udhëtova me ftesë të anëtarëve të Këshillit të Evropës. Në këtë qytet të bukur në kufirin franko-gjerman, pata privilegjin t’i informoj anëtarët e Këshillit të Evropës dhe të shteteve anëtare të BE-së për situatën aktuale dhe dinamikën e dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Lajçak në Facebook.

Lajçak ka treguar se në Strasburg ka shkuar nga Firence, ku kishte marrë pjesë në një ngjarje të organizuar nga Instituti i Universitetit Evropian atje.

(r.m.)