Lajçak: I kemi afruar dallimet midis propozimeve të të dyja palëve

Bruksel, 4 prill 2024 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se në takimin e kryenegociatorëve të të dy vendeve në Bruksel janë afruar dallimet e palëve  për çështjen e dinarit, porse diskutimet për këtë çështje do të vazhdojnë.

“Prita një tjetër diskutim me dy kryenegociatorët për zgjidhje të përkohshme për personat e prekur nga vendimi i BQK-së. I kemi afruar dallimet midis propozimeve të dy palëve. Kam në plan të vazhdoj diskutimet tona së shpejti, bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, ka shkruar Lajçak në platformës “X”.

Por, Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se dy palët kanë dallime të mëdha midis tyre. Ai ka thënë se Lakçak e ka paraqitur një propozim të tij me të cilin pala kosovare është pajtuar, por pala serbe ka kërkuar kohë shtesë për të shqyrtuar propozimin e Lajçakut.

“Fatkeqësisht, edhe sot kemi pasur dallime të mëdha. Përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si qytetarët serbë mund të marrin edhe më tutje mbështetjen financiare nga Serbia, pala serbe ka punuar si avokate e “Postanska Banka” (Pankës së Postës së Serbisë) dhe gjatë gjithë kohës ka diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë dhe as interes i palëve të përfshira. Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, z. Lajçak ka nxjerrë një propozim nga ana e tij, propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por, në të njëjtën kohë, edhe respekton në tërësi Rregulloren e BQK-së. Prapë pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe ka kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel”, ka deklaruar Bislimi.

Ai ka thënë se opsioni i Beogradit për licensimin e “Postanska Banka” nuk mund të prodhojë zgjidhje dhe këtë tani e ka të qartë edhe Lajçaku.

“Ligjërisht në Kosovë, nuk ka ‘Postanska Banka’ dhe një nga principet e dakorduara është zgjidhja të sigurojë legjitimitet në tërësinë e saj. Rrjedhimisht, diçka që nuk është legjitime nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes. Mendoj që kjo i është bërë e qartë palës serbe gjatë javës së kaluar kurse sot në mënyrë të qartë edhe nga z. Lajçak.

(r.m.)