Lajçak: Më vjen mirë që me Bislimin u pajtuam për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës

Bruksel, 16 korrik 2023 – I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në një përmbledhje mbi aktivitetet e tij të javës, ka thënë se ndjehet mirë që me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, janë pajtuar për hapat drejt shtensionimit të raporteve me Serbinë.

Në një postim në Facebook, Lajçak ka thënë se në fokus të bisedës me Bislimin, në Bratisllavë, ka qenë shtensionimi i situatës në veri të Kosovës.

“Nga Dubrovniku udhëtova për në Bratislavë, ku zhvillova diskutime të rëndësishme bilaterale me zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së Kosovës dhe kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi. Biseda jonë u përqendrua në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e datës 3 qershor, dhe në punën në drejtim të zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të Dialogut. Më vjen mirë që u pajtuam për hapat e parë drejt këtij qëllimi”, ka shkruar ai.

Forumin vjetor në Dubrovnik, Lajçaku e cilësoi si një mundësi të mirë për të diskutuar me akterët kryesorë të Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se janë bërë hapat e nevojshëm për shtensionim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak ka shkruar edhe për takimin që ka pasur javën që shkoi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.Ai ka bërë të ditur se në këtë takim kanë shkëmbyer pikëpamje për zhvillimet aktuale në Kosovë.

 I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi ka thënë se tashmë është përgatitur për takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve të dy vendeve në Bruksel.

(r.m.)