Lajçak për Asociacionin: Në tavolinë i kemi 16 modele evropiane

Bruksel, 3 mars 2023 – I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se në tavolinën e tij ka 16 modele ekzistuese funksionale për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që i ka ndarë me Kosovën dhe Serbinë.

Sipas tij, ato mund të shihen si modele për të drejtat e minoriteteve dhe të gjitha janë në përputhje me standardet evropiane.

Kështu tha ai një intervistë për Këshillin Atlantik, më 3 mars.

Lajçak tha se dy vendet duhet të bien dakord se si do të jetë dhe si nuk duhet të jetë Asociacioni, por që BE-ja, siç tha ai, nuk dëshiron të krijojë diçka që e bën sistemin e Kosovës më pak funksional.

“Po flasim me partnerët tanë për modele ekzistuese që po forcojnë funksionalitetin e shteteve dhe jo dobësimin, prandaj mendojmë se nuk duhet të ketë frikë. Askush nuk ka interes ta dobësojë funksionalitetin e Kosovës. Duhet ta shohim jo si kërcënim a dënim a kompromis, por obligim në njërën anë, dhe duhet të shihet edhe si ndërtim i mirëbesimit të serbëve të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës dhe definim të qartë të raporteve të Qeverisë së Serbisë me serbët e Kosovës, sipas standardeve evropiane”, tha ai.

Emisari evropian tha se Asociacioni është obligim tash e 10 vjet i Kosovës, dhe se BE-ja e ka përsëritur “në secilin deklarim dhe dokument që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të implementohen nga palët”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përballur me thirrjet e SHBA-së dhe BE-së që të themelojë Asociacionin, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më 2013 dhe 2015. Por, ai është shprehur kundër një asociacioni njëetnik, me kompetenca ekzekutive.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se marrëveshja e vitit 2015, nuk është plotësisht në harmoni me Kushtetutën, duke shtuar se të 23 pikat – që janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës – mund të harmonizohen.

Lajçak foli edhe për Propozimin Evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se e vlerëson lartë që liderët e dy vendeve u pajtuan për këtë dokument, por tha se tani u takon palëve të merren vesh për aneksin, planin e zbatimit.

Ai tha se ky aneks është pjesë e pandashme e marrëveshjes, dhe se i njëjti do të bëhet publik pasi palët të merren vesh.

Në takimin e së hënës, Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan për përnbajtjen e tekstit të propozimit evropian, por, palët nuk e nënshkruan këtë dokument, për të cilin një zyrtar i BE-së tha dje se duhet të nënshkruhet bashkë me aneksin.

Në nenin 10 të Marrëveshjes drejt normalizimit thuhet se “palët konfirmojnë detyrimin e tyre për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme në dialog, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”.

Në praktikë, kjo do të thotë se duhet të formohet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

(REL)